Në ditën e tretë të përplasjeve, gaz lotsjellës dhe autobotë uji në rrugët e Tiranës, ndërsa studentë e gjimnazistë dolën në protestë edhe në qytete të tjera. Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveritë ndërrohen me zgjedhje, jo me revolucion.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka refuzuar të largohet nga detyra, pikërisht kur protesta e udhëhequr nga studentët hyri në ditën e tretë radhazi të përplasjeve me policinë në Tiranë dhe u zgjerua edhe jashtë kryeqytetit.
"Sa u përket thirrjeve për dorëheqjen time, qeveritë ndërrohen përmes zgjedhjeve demokratike. Vitin e kaluar patëm zgjedhje, jo revolucion", tha Rama në përgjigje me shkrim dhënë agjencisë Reuters. Ai shtoi: "Përgjegjësia ime është të dëgjoj, të trajtoj shqetësimet legjitime dhe ta mbaj Shqipërinë duke ecur përpara. Alternativa do të ishte një tradhti ndaj shqiptarëve që më dhanë një mandat të fortë për të përfunduar negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian."
Të enjten, policia përdori gaz lotsjellës dhe autobotë uji për të shpërndarë protestuesit që marshonin përgjatë disa rrugëve kryesore të Tiranës. Në të njëjtën kohë, protesta mori përmasa kombëtare. Ajo nisi që në mëngjes në Durrës dhe u përhap në disa prej qyteteve kryesore të vendit, ku studentë, gjimnazistë e të rinj marshuan, bllokuan rrugët, qëlluan me vezë e gurë institucionet publike dhe tentuan të krijojnë mosbindje civile. Në njërën prej pamjeve nga protestat, një protestues i maskuar qëllon policinë me llastiqe.
Kërkesat e protestuesve janë dorëheqja e Ramës dhe më shumë mbështetje për studentët, duke përmendur kushtet e këqija në universitete dhe tarifat e larta të shkollimit. Rama u shpreh i gatshëm të diskutojë rritjen e kostos së arsimit, por vendosi një vijë të qartë: "Sulmimi i institucioneve, shkatërrimi i pronës publike dhe kërcënimi i sigurisë publike nuk kanë asnjë lidhje me kërkesat legjitime të studentëve."
Ditët e mëparshme ishin më të rëndat. Të martën dhe të mërkurën, në Tiranë pati orë të tëra përplasjesh të dhunshme, kur protestuesit hynë me forcë në disa ndërtesa qeveritare dhe i vunë flakën të paktën njërës prej tyre. Sipas policisë, vetëm gjatë protestës së së mërkurës u plagosën 51 punonjës policie, ndërsa 65 persona u arrestuan të dyshuar për "sulm ndaj punonjësve të policisë, institucioneve, pronës publike dhe private". Policia nuk dha shifra për protestuesit e lënduar, por spitali publik i Tiranës raportoi se "shtatë protestues të plagosur në dhunë kërkuan trajtim mjekësor".
Kjo valë trazirash përbën sfidën më të madhe deri tani për Ramën, i cili fitoi mandatin e katërt vitin e kaluar. Ajo vjen pas muajsh demonstratash kryesisht paqësore, të nxitura nga plani për ndërtimin e një resorti luksoz në bregdetin jugor të Shqipërisë, i mbështetur nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump. Projekti është përballur me sfida ligjore.
Rama e lidhi krizën edhe me luftën kundër korrupsionit dhe me rrugën evropiane të vendit. "Korrupsioni duhet përballuar dhe, siç e ka rikonfirmuar kohët e fundit vetë BE-ja, Shqipëria po e lufton atë si kurrë më parë", tha ai. Dhe më tej: "Ndoshta disa forca, brenda dhe jashtë vendit, nuk duan që Shqipëria të ketë sukses si pararendëse për anëtarësimin në BE. Por unë nuk do të lejoj që dhuna ta nxjerrë nga binarët të ardhmen evropiane të Shqipërisë."
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë përsëriti thirrjet e mëparshme për ulje të tensioneve dhe dënoi fuqimisht "përshkallëzimin e dhunshëm në protestë dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private". "U bëjmë thirrje protestuesve të tregojnë përmbajtje dhe të heqin dorë nga çdo akt dhune. Dhuna nuk ka vend në demokraci", thuhet në deklaratën e delegacionit.
Peshën e këtyre ngjarjeve e rrit edhe kalendari evropian: së bashku me Malin e Zi, Shqipëria prin në procesin e anëtarësimit në BE mes vendeve të Ballkanit dhe synon të hyjë në Bashkim që në vitin 2028.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

