Policia e Kosovës mund të ketë së shpejti radion e saj shtetërore. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e quan alarmues vendimin e Komisionit të Pavarur të Mediave dhe paralajmëron se kanali mund të keqpërdoret për qëllime partiake.

Policia e Kosovës është një hap më afër të ketë radion e vet. Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka licencuar Radio Policinë si radio shtetërore, në formën e transmetimit eksperimental, një vendim që Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka cilësuar alarmues.
Në një reagim publik, AGK thotë se një radio e drejtuar nga Policia përbën përpjekje të institucioneve ligjzbatuese për t'i përcjellë publikut informacione të njëanshme, pa kaluar përmes shqyrtimit kritik të mediave.
"Gazetarët dhe mediat duhet të kenë mundësi të bëjnë pyetje, të sfidojnë qëndrimet e Policisë dhe ta mbajnë atë përgjegjëse për punën e saj, përmes kanaleve të hapura dhe të pavarura të komunikimit. Duke pasur parasysh se sektori i sigurisë udhëhiqet nga ministra dhe zëvendësministra të Lëvizjes Vetëvendosje, konsiderojmë se ekziston rrezik real që kjo media shtetërore të keqpërdoret për përhapjen e narrativave partiake", thuhet në reagimin e Asociacionit.
Kritika e AGK-së nuk ndalet te Policia. Asociacioni vë në dyshim edhe legjitimitetin e vetë organit që dha licencën, duke pretenduar se përbërja e KPM-së është rezultat i një përzgjedhjeje të ndikuar politikisht.
"Licenca është dhënë nga KPM-ja, anëtarët e së cilës janë përzgjedhur përmes një procesi të komprometuar, në të cilin Lëvizja Vetëvendosje kishte paracaktuar kandidatët e saj të preferuar. E konsiderojmë këtë vendim vazhdimësi të një qasjeje të KPM-së që favorizon pushtetin në dëm të informimit në interes publik", shkruan AGK.
Asociacioni shpreson që vendimi të kundërshtohet përmes rrugëve ligjore dhe që Radio Policia të mos bëhet funksionale. Ndërkohë, i ka bërë thirrje KPM-së që interesin e qytetarëve ta vendosë përpara interesave partiake apo qeveritare.
Pavarësisht kritikave, AGK nuk e mohon marrëdhënien me Policinë: "AGK-ja e çmon bashkëpunimin tradicionalisht të mirë të Policisë me gazetarët dhe mediat. Megjithatë, nuk e sheh këtë nismë si një hap që i shërben ruajtjes dhe forcimit të këtij bashkëpunimi".
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

