Një litër qumësht i importuar shitet me pakicë për 0.49 euro, ndërsa fermeri kosovar mezi mbulon koston e grumbullimit. Industria vendore paralajmëron një kërcënim për mbijetesën e sektorit.

Sektori vendor i qumështit në Kosovë po humbet terren përballë importit, dhe kjo po ndihet drejt e në raftet e supermarketeve. Shoqata e Industrisë së Qumështit të Kosovës (SHIQK) ka ngritur alarmin, duke paralajmëruar se rritja e importeve dhe konkurrenca e çmimeve mund t'i dëmtojnë rëndë fermerët dhe përpunuesit kosovarë.
Shifra që shqetëson më shumë industrinë është çmimi: një litër qumësht i importuar mund të shitet me pakicë për 0.49 euro, ndërkohë që prodhuesit vendorë përballen me kostot e grumbullimit dhe përpunimit të qumështit të freskët. "Po bëhet më lirë ta blesh qumështin e gatshëm në supermarket sesa ta grumbullosh nga fermeri vendor", paralajmëron shoqata.
Në një njoftim publik, SHIQK kujton se ky sektor është ndërtuar ndër vite përmes investimeve private, subvencioneve publike dhe punës së mijëra fermerëve e përpunuesve. Sipas shoqatës, pikërisht kur prodhimi vendor kishte arritur një nivel të konkurrueshëm, u godit nga zhvillime të tjera: "Pikërisht në momentin kur ky sektor kishte arritur një nivel ku mund të konkurronte më seriozisht me importin, u përballëm me një valë dezinformatash, interpretime të paqarta dhe masa që goditën rëndë prodhuesin vendor", thuhet në reagim.
Pasoja, sipas SHIQK-së, është e dukshme aty ku vendos konsumatori: "Rezultati sot shihet qartë në raftet e marketeve: produktet kosovare zvogëlohen, ndërsa hapësira e tyre po zëvendësohet gjithnjë e më shumë nga importi".
Shoqata e nxjerr çështjen përtej rivalitetit mes kompanive. Sipas saj, në lojë janë vendet e punës dhe siguria ushqimore e vendit. "Kjo nuk është më vetëm çështje e konkurrencës mes kompanive. Është çështje e mbijetesës së fermerit, industrisë përpunuese, vendeve të punës dhe sigurisë ushqimore të Kosovës", theksohet në njoftim.
Nëse trendi vazhdon, SHIQK paralajmëron pasoja afatgjata për qëndrueshmërinë e fermave dhe investimeve. "Nëse vazhdohet me këtë trend, dëmi nuk do të matet vetëm me humbjet e sotme të qumështoreve. Nesër mund të mos kemi më fermerë që ia vlen të mbajnë lopë, industri që ia vlen të investojë dhe prodhim vendor që mund të konkurrojë", theksohet.
Shoqata kërkon konkurrencë të drejtë dhe import të ligjshëm, rregulla të barabarta dhe institucione që, sipas saj, duhet ta mbrojnë prodhimin vendor. Njoftimi mbyllet me një paralajmërim: "Sepse kur shuhet fermeri dhe prodhuesi vendor, raftet mund të mbeten plot — por ekonomia e vendit mbetet bosh".
Familjet që aplikojnë vonë humbin muaj mbështetjeje, sepse subvencioni për faturat e rrymës nis vetëm nga muaji i aprovimit. Aplikimi për programin 2026-2027 është i hapur deri më 31 mars 2027.

