Dështimi për të zgjedhur presidentin e ri do ta çonte Kosovën drejt shpërndarjes së Kuvendit dhe zgjedhjeve të parakohshme. Këtë paralajmëron Vigan Qorrolli nga Vetëvendosje, i cili kërkon që të martën të kalojë edhe projektligji për Dhomat e Specializuara.

Dy vota në të njëjtën ditë: presidenti i ri i Kosovës dhe ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Kjo është kërkesa që Vigan Qorrolli, kryetar i Komisionit për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, u ka bërë partive për seancën e së martës.
Në një shkrim në Facebook, Qorrolli i lidhi drejtpërdrejt të dyja çështjet. "Sot nuk është dita për ta çuar shtetin në prapakthim: e votojmë presidentin dhe e votojmë projektligjin për Specialen, sepse të dyja janë pjesë e të njëjtit detyrim", shkroi ai, duke e përshkruar këtë detyrim si nevojën për t'i dhënë vendit "institucione funksionale dhe vendimmarrje".
Kryetari i Komisionit për Legjislacion paralajmëroi edhe për skenarin e kundërt. Nëse presidenti nuk zgjidhet, sipas tij, Kuvendi do të shpërndahej dhe vendi do të shkonte në zgjedhje të parakohshme.
Qorrolli kritikoi mundësinë që partitë të mos gjejnë marrëveshje dhe e lidhi rrezikun e zgjedhjeve me procesin për Specialen: "Shkuarja në zgjedhje e lëndon Hagën dhe Republikën tonë".
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

