Pronarët përgjatë rrugës Prishtinë-Podujevë dhe në hyrje të Ferizajt kanë marrë vendimin përfundimtar: pronat e tyre shpronësohen për interes publik. Qeveria e Kosovës ka hapur njëkohësisht procedurat për një varg projektesh të tjera, nga Prizreni deri në Han të Elezit.

Shpronësimet për zgjerimin e dy akseve rrugore kryesore, Rrugës Nacionale N2 në Ferizaj dhe Rrugës Nacionale M25 Prishtinë-Podujevë, kanë marrë dritën e gjelbër përfundimtare nga Qeveria e Kosovës. Ato janë pjesë e një pakete vendimesh për shpronësimin e pronave të paluajtshme për interes publik, që prek projekte infrastrukturore në disa komuna të vendit.
Në Ferizaj, vendimi përfundimtar ka të bëjë me një shpronësim shtesë në zonat kadastrale Ferizaj dhe Talinoc i Jerlive. Pronat preken nga zgjerimi i Rrugës Nacionale N2, në segmentin e njohur si "Hyrja në Qytetin e Ferizajt".
Shtrirja më e madhe gjeografike lidhet me rrugën M25. Shpronësimi përfundimtar përfshin tetë zona kadastrale në Komunën e Prishtinës: Bërnicë e Epërme, Bardhosh, Trudë, Lebanë, Prugoc, Besi, Vranidoll dhe Teneqsholl. Në Komunën e Podujevës preken katër të tjera: Lupç i Poshtëm, Shakovicë, Lluzhan dhe Llugë.
Përveç vendimeve përfundimtare, Qeveria ka miratuar edhe disa vendime preliminare. Në Komunën e Prizrenit, shpronësimi lidhet me rehabilitimin e rrugës rajonale R112, në segmentin Gjonaj-Bishtazhin, ku preken prona në zonën kadastrale Gjinaj. Në Komunën e Hanit të Elezit, pronat në zonën kadastrale Rezhancë preken nga projekti për sanimin e rrëshqitjes së dheut në rrugën Hani i Elezit-Gorancë.
Në Gjakovë, vendimi preliminar hap rrugën për ndërtimin e Parkut Industrial. Në të përfshihen pronat ish-shoqërore "Virgjinia" dhe "Metaliku", të cilat menaxhohen dhe administrohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), si dhe prona private.
Një grup tjetër vendimesh nuk e mbyll procesin, por e kalon kërkesën për shqyrtim të mëtejshëm. Këtu bëjnë pjesë disa prona ish-shoqërore nën administrimin e AKP-së, të nevojshme për projekte të Komunës së Podujevës, mes tyre ndërtimi i Tregut të Kafshëve dhe ndërtimi i Tregut të Gjelbër.
Po në Podujevë do të shqyrtohet më tej edhe kërkesa për objektin e evidentuar si "Shtëpi banimi 1935", i cili është nën menaxhimin e AKP-së dhe në pronësi të Komunës së Podujevës. Sipas vendimit, objekti nevojitet për ndërtimin e Muzeut të Qytetit të Podujevës.
Kërkesë për shqyrtim të mëtejshëm është miratuar edhe për pronat që preken nga Autostrada "Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë", në segmentin Banullë-Bresalc. Pronat ndodhen në zonën kadastrale Banullë, në Komunën e Lipjanit.
Për të gjitha vendimet preliminare dhe ato të shqyrtimit të mëtejshëm, procesi vazhdon tani në fazat e parapara me ligj, ndërsa vlera e kompensimeve dhe numri i pronarëve të prekur nuk janë bërë ende të ditura.
Familjet që aplikojnë vonë humbin muaj mbështetjeje, sepse subvencioni për faturat e rrymës nis vetëm nga muaji i aprovimit. Aplikimi për programin 2026-2027 është i hapur deri më 31 mars 2027.

