Sapo u zgjodh nënkryetar i Kuvendit me votat e Vetëvendosjes, Kujtim Shala nga LDK-ja deklaroi se qeveria e re e Albin Kurtit doli nga një Kuvend i pakonstituuar dhe se prandaj nuk është kushtetuese. PDK-ja po përgatit kërkesë për Gjykatën Kushtetuese.

Vota që e bëri nënkryetar të Kuvendit të Kosovës nuk ia zbuti qëndrimin. Menjëherë pas zgjedhjes së tij, nënkryetari i LDK-së, Kujtim Shala, deklaroi se Qeveria Kurti 4 është jokushtetuese.
"Qeverinë e zgjodhi një Kuvend i pakonstituuar, prandaj ajo nuk është një qeveri kushtetuese", tha Shala në një prononcim për Gazetën Express. Argumenti i tij niset nga interpretimi se Kushtetuta e konsideron Kuvendin të konstituuar vetëm pas zgjedhjes së kryetarit dhe të të gjithë nënkryetarëve, pra pas votimit që e çoi atë vetë në atë post.
Për zgjedhjen e tij, Shala mori edhe votat e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Ai nuk e lexon këtë si pajtim: "Vota e VV-së për mua tregon se subjekti i Kurtit ka ndryshuar qëndrim e jo unë".
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, dha leximin e kundërt. Pas votimit të nënkryetarëve, ajo deklaroi se Kuvendi tashmë konsiderohet i konstituuar.
Përplasja juridike po merr edhe rrugë institucionale. PDK-ja ka pezulluar kandidaturën e Vlora Çitakut për nënkryetare të Kuvendit dhe ka paralajmëruar se do t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për interpretim. Në kërkesën që synon ta dërgojë atje, kjo parti ka bërë të ditur se do të përfshijë jo vetëm çështjen e konstituimit të Kuvendit, por edhe formimin e Qeverisë së re.
Ndërkohë, qeveria është tashmë e votuar. Kuvendi i Kosovës i dha besimin kabinetit të udhëhequr nga Albin Kurti me 62 vota për, tetë kundër dhe asnjë abstenim, duke i siguruar atij mandatin e katërt si kryeministër. Përbërja e kabinetit mbetet e njëjtë me atë të qeverisë së tretë të drejtuar prej tij.
Në krye të strukturës qëndrojnë tre zëvendëskryeministra: Glauk Konjufca, zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë, dhe Fikrim Damka, zëvendëskryeministër i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim. Hekuran Murati mban Financat, Andin Hoti dikasterin për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Ejup Maqedonci Mbrojtjen dhe Xhelal Sveçla Punët e Brendshme. Lulëzon Jagxhiu drejton Digjitalizimin dhe Administratën Publike, Arben Vitia Shëndetësinë, Hajrulla Çeku Arsimin dhe Shkencën, Saranda Bogujevci Kulturën dhe Turizmin, Elbert Krasniqi Administrimin e Pushtetit Lokal, Blerim Gashani Sportin dhe Rininë, Fitore Pacolli Mjedisin dhe Planifikimin Hapësinor, ndërsa Armend Muja Bujqësinë, Pylltarinë dhe Zhvillimin Rural.
Votimi sjell edhe një riorganizim të bankave të Kuvendit. Pesëmbëdhjetë anëtarë të kabinetit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, përfshirë vetë kryeministrin, duhet të heqin dorë nga mandatet e deputetit, pasi i njëjti person nuk mund të ushtrojë njëkohësisht funksionin e deputetit dhe atë të ministrit apo anëtarit të Qeverisë. Mandatet e liruara pritet t'u kalojnë 15 kandidatëve të radhës nga lista e LVV-së.
Me qeverinë e votuar, kompletimi i institucioneve mbetet i papërfunduar: në proces është edhe zgjedhja e Presidentit të Republikës. Shala ishte një nga gjashtë deputetët e LDK-së që kundërshtuan marrëveshjen mes Lumir Abdixhikut dhe Albin Kurtit për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

