Në një takim në Moskë, presidenti rus Vladimir Putin pranoi hapur se fushata ukrainase me dronë kundër rafinerive dhe infrastrukturës së naftës po i shkakton dëm ekonomisë ruse.

Presidenti rus Vladimir Putin ka pranuar publikisht se sulmet ukrainase me dronë ndaj rafinerive dhe infrastrukturës së naftës po ndikojnë në ekonominë e Rusisë — një pohim i rrallë për dëmin e shkaktuar nga fushata e Kievit ndaj objekteve energjetike.
Putin foli në një mbledhje të Këshillit për Zhvillim Strategjik dhe Projekte Kombëtare në Moskë. Sipas tij, tabloja ekonomike mbetet pozitive, ndonëse e kufizuar: "Të dhënat statistikore tregojnë se performanca ekonomike, ndonëse modeste në përgjithësi, mbetet pozitive."
Ai e lidhi ngadalësimin e aktivitetit me presionin e jashtëm dhe me goditjet ndaj objekteve industriale. "Është e qartë se ritmi i aktivitetit ekonomik po ndikohet nga një sërë faktorësh, duke përfshirë presionin e jashtëm, si dhe sulmet terroriste ndaj objekteve industriale dhe të infrastrukturës. Natyrisht, sulme të tilla nuk kanë dhe nuk mund të rezultojnë në pasoja kritike. Megjithatë, ato na shkaktojnë dëm. Kjo është e qartë dhe ne e njohim dhe e kuptojmë plotësisht", tha Putin.
Deklarata shënon një pranim të drejtpërdrejtë nga vetë krerët e Kremlinit se goditjet ukrainase mbi zinxhirin e naftës po lënë gjurmë, edhe pse Putin këmbënguli se ato nuk mund të sjellin pasoja "kritike" për vendin.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

