Pentagoni njofton se ekzekutimi i Nidal Malik Hasanit më 3 dhjetor do të shfaqet drejtpërdrejt para publikut. Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, kur u pyet për kërkesat e fundit të të dënuarit, u përgjigj thjesht: "Nuk më intereson."

Ekzekutimi me pushkatim i Nidal Malik Hasanit, ish-majorit dhe psikiatrit të ushtrisë amerikane, do të transmetohet drejtpërdrejt. Pentagoni e bëri të ditur këtë të enjten, një ditë pasi sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se ekzekutimi do të jetë "publik".
Hasani u dënua për vrasjen e 13 personave dhe plagosjen e 32 të tjerëve në të shtënat e 6 nëntorit 2009 në bazën ushtarake Fort Hood, në Killeen të Teksasit.
Hegseth foli të mërkurën për televizionin konservator Real America's Voice News, nga bordi i aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln, ku po vizitonte ekuipazhin që ka qëndruar gjatë në mision dhe që mbështeti luftën në Iran, para se anija të mbërrinte në portin e saj bazë në San Diego. Ai konfirmoi se ekzekutimi do të kryhet në Fort Hood më 3 dhjetor.
"Do të sigurohemi që njerëzit të mund ta shohin, që të jetë publik", tha Hegseth.
Kur u pyet nëse Hasani kishte paraqitur ndonjë kërkesë të fundit apo kishte kontaktuar administratën e Trumpit, sekretari i Mbrojtjes u përgjigj shkurt: "Nuk më intereson. Do ta shohim më 3 dhjetor."
Të enjten, zyrtarët e Pentagonit sqaruan se ekzekutimi do të transmetohet drejtpërdrejt dhe se hollësitë do të jepen më vonë. Ditë më parë, të hënën, zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, kishte bërë të ditur se presidenti Donald Trump e kishte miratuar ekzekutimin. Shtëpia e Bardhë, e pyetur për planin e transmetimit, i drejtoi menjëherë pyetjet te Pentagoni.
Vendimi bie në kontrast me qëndrimin që Trump ka mbajtur ndaj ekzekutimeve publike në Iran. Presidenti amerikan i ka kritikuar ato dhe herë pas here e ka përdorur mundësinë që protestuesit të vriten nga qeveria iraniane si arsye të mundshme për veprim ushtarak. Në fund të shkurtit, ai vendosi të sulmojë Iranin, me arsyetimin e raketave balistike dhe të rrezikut që vendi të zhvillojë armë bërthamore.
"Na është thënë se vrasjet në Iran po ndalen", u tha Trump gazetarëve më 14 janar të këtij viti. "Po ndalen dhe nuk ka plan për ekzekutime."
Më 20 janar, në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, ai e përsëriti: "Ua bëmë të qartë se nëse ndodh kjo, do të jetë një ditë shumë e keqe për ta. Dhe ata vendosën të mos e bëjnë. Nuk i varën njerëzit." Pak më shumë se një muaj më vonë, në fjalimin për Gjendjen e Kombit, Trump deklaroi: "I ndaluam që të varnin shumë prej tyre me kërcënimin e dhunës serioze."
Data e 3 dhjetorit mund të mos jetë përfundimtare. Ekspertët e së drejtës ushtarake theksojnë se Hasani mund të zgjedhë t'i kundërvihet ekzekutimit dhe të paraqesë një kërkesë habeas corpus në një gjykatë civile, gjë që mund ta shtyjë ndjeshëm procesin.
"Sinqerisht, mund ta tejkalojë administratën aktuale dhe kush e di nëse e ardhshmja do të ketë të njëjtën prirje për ekzekutime", tha Eugene R. Fidell, lektor vizitues në Shkollën e Drejtësisë të Universitetit Yale, i specializuar në të drejtën ushtarake.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

