Rreth 197 tonë mish pule nga Tajlanda kanë hyrë në Shqipëri, të gjitha si rieksport përmes Kosovës. Ndërkohë, inspektorët e Komisionit Europian gjetën në thertoret tajlandeze karkasa me kontaminim fekal dhe mish nga stabilimente të paautorizuara për tregun e BE-së.

Rreth 197 tonë mish pule i prodhuar në Tajlandë kanë përfunduar në tregun shqiptar. E gjithë kjo sasi ka kaluar më parë përmes Kosovës, si rieksport. Në të njëjtën kohë, një auditim i Komisionit Europian në Tajlandë, i kryer në qershor të këtij viti, ka nxjerrë në pah mangësi serioze në higjienën dhe kontrollin e thertoreve të shpendëve në atë vend.
Rruga drejt Tajlandës u hap në vitin 2025, kur Ministria e Bujqësisë në Shqipëri lejoi importin e mishit të pulës nga ky vend, me kushtin që produktet të vinin vetëm nga stabilimente të certifikuara për eksport në Bashkimin Europian. Interesi për këtë treg duket se është shtuar pasi, që prej 3 shtatorit, BE-ja dhe Shqipëria kanë ndaluar importin e disa kategorive të mishit nga Brazili. Fabrikat e sallamit, sipas raportimit, duket se kanë gjetur te Tajlanda një burim të ri furnizimi.
Pikërisht certifikimi për tregun europian e bën të rëndësishëm raportin e Komisionit. Gjatë auditimit u evidentuan një sërë mangësish në sistemin e kontrollit të prodhimit të mishit të shpendëve lidhur me kushtet higjienike. Gjetja e parë është e rëndë: "Komisioni konstatoi se, në pothuajse të gjitha stabilimentet e vizituara, karkasat me kontaminim fekal dërgoheshin për ripërpunim. Sipas raportit, mënyra e transferimit të këtyre karkasave, në disa raste, paraqiste rrezik serioz për përhapjen e kontaminimit fekal".
Problemet vijonin edhe në fazën e ripërpunimit, ku vendimi për fatin e mishit u lihej në dorë punonjësve të thertores: "Karkasat e dyshuara si të papërshtatshme dërgoheshin në një zonë tjetër, ku punonjësit e thertores prisnin pjesët e prekura, i lanin me ujë dhe vendosnin nëse pjesë të mishit ishin të përshtatshme për konsum".
Një tjetër shqetësim lidhet me ndarjen dhe gjurmueshmërinë e produkteve të destinuara për tregun e BE-së nga ato që nuk ishin për këtë treg. Rasti më flagrant u gjet në një stabiliment: "Akoma më rëndë, në një stabiliment u konstatuan produkte prej mishi shpendësh të destinuara për eksport në BE, të cilat ishin prodhuar duke përdorur mish të grirë të siguruar nga një stabiliment që nuk ishte i autorizuar për eksport në Bashkimin Europian."
Këto gjetje ngrenë pikëpyetje serioze mbi funksionimin e sistemit të kontrollit dhe certifikimit të mishit të shpendëve që eksportohet nga Tajlanda drejt tregut europian, pra mbi vetë garancinë që Ministria e Bujqësisë vendosi si kusht për importin në Shqipëri. Nuk është bërë e ditur nëse stabilimentet e audituara janë të njëjtat nga vjen mishi që ka hyrë në Shqipëri. Portali IndeksOnline, që e ka nxjerrë në pah rastin, thekson se Ministria e Bujqësisë dhe AKU duhet të verifikojnë me kujdes origjinën, gjurmueshmërinë dhe sigurinë e produkteve që hyjnë në vend.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

