Policia e Shtetit ka bërë bilancin e protestave të dhunshme të ditëve të fundit: 152 arrestime, qindra të proceduar në shtatë qytete, 120 policë të dëmtuar dhe një oficer i plagosur rëndë në Shkodër. Hetimi tani shtrihet edhe te kanalet anonime që, sipas policisë, nxisnin akte terroriste.

Njëqind e njëzet punonjës policie të dëmtuar, një oficer në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe 152 qytetarë pas hekurave. Ky është bilanci që Policia e Shtetit në Shqipëri ka bërë publik për protestat e dhunshme të ditëve të fundit, të cilat kanë prekur Tiranën, Durrësin, Korçën, Vlorën, Shkodrën, Elbasanin dhe Kukësin.
Shifrat u prezantuan në një konferencë për median nga Dhimitraq Ziu, drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit. Sipas tij, strukturat e policisë në qendër dhe në qarqe kanë ngritur grupe të posaçme hetimore, në bashkëpunim të ngushtë me prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm, për të analizuar çdo provë materiale dhe çdo pamje filmike.
"Përgjegjësia është individuale dhe do përballeni me forcën e ligjit", paralajmëroi Ziu.
Tirana mban peshën më të madhe. Në kryeqytet janë arrestuar 127 persona dhe 244 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë. Sipas policisë, ata dyshohen për dhunë ndaj efektivëve, dëmtim të institucioneve shtetërore dhe shkatërrim të pronës publike e private, përfshirë bankomate, kamera, automjete dhe rrethime metalike.
Në Durrës, 23 persona janë arrestuar në flagrancë dhe 12 të tjerë janë proceduar penalisht. Policia i akuzon për kundërshtim dhe goditje të punonjësve të saj me sende të forta, si dhe për shkatërrim me sende të forta dhe me zjarr të institucioneve shtetërore dhe pronave publike e private.
Korça numëron 2 të arrestuar dhe 23 të proceduar në gjendje të lirë, për kundërshtim, dhunë ndaj policëve dhe shkatërrim, edhe me zjarr, të godinave të institucioneve dhe pronës publike. Në Vlorë nuk ka arrestime, por 20 persona janë proceduar në gjendje të lirë: sipas policisë, ata penguan procesin mësimor në disa shkolla të qytetit, kundërshtuan policët, goditën me sende të forta fasadën e një institucioni dhe dëmtuan pronën publike.
Në Elbasan janë proceduar 6 persona për thyerjen e xhamave të një godine shtetërore dhe dëmtimin e sinjalistikës rrugore, tabelave të reklamave dhe pronës publike. Në Kukës, 10 persona po ndiqen në gjendje të lirë për dëmtim të sinjalistikës rrugore, tabelave dhe reklamave.
Rasti më i rëndë vjen nga Shkodra. Gjatë protestës atje u plagos rëndë një oficer i Policisë së Rendit, i cili ndodhet aktualisht në Spitalin e Traumës në Tiranë. "Autori i plagosjes është identifikuar, por për shkak të moshës nuk është arrestuar", deklaroi policia. Në qytet janë proceduar në gjendje të lirë 9 persona për kundërshtim dhe goditje të policëve, si dhe për shkatërrim me sende të forta dhe me zjarr të godinave të institucioneve dhe pronave.
Sipas policisë, dhuna ka lënë deri tani të dëmtuar 120 punonjës policie në Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër dhe Kukës. Ziu iu drejtua protestuesve me një mesazh të drejtpërdrejtë: "Çdo efektiv që sulmoni është aty për të bërë detyrën që i është caktuar, është i betuar për komb dhe flamur dhe bashkëjeton çdo ditë në të njëjtin terren me ju."
Një front tjetër i hetimit është hapur në internet. Strukturat e specializuara të Hetimit të Krimit Kibernetik dhe Antiterrorit kanë identifikuar kanale dhe grupe komunikimi ku, sipas policisë, qarkullonin mesazhe kriminale, përfshirë thirrje për akte ekstreme e terroriste dhe kërcënime ndaj jetës së policëve. Për këto veprime është regjistruar procedim penal, ndërsa policia po bashkëpunon me agjenci partnere ndërkombëtare për zbulimin e adresave IP dhe identifikimin e administratorëve dhe përdoruesve.
"Përdorimi i rrjeteve sociale nëpërmjet llogarive anonime nuk duhet dhe nuk do të lejohet t’i shërbejë rrymave apo shtetasve me prirje terroriste, ekstremiste dhe të dhunshme, brenda dhe jashtë vendit, të cilët janë aktualisht në një proces hetimor tejet të detajuar dhe konfidencial, për të vlerësuar qëllimet dhe veprimet e tyre destabilizuese, si dhe të rrezikshme për shoqërinë dhe të ardhmen e vendit", tha Ziu.
Policia shprehu keqardhje edhe për përhapjen e lajmeve të pavërteta, të cilat sipas saj synojnë të shfrytëzojnë ndjenjat nacionaliste. Ajo u bëri thirrje protestuesve të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm, ndërsa drejtuesit e saj kanë udhëzuar efektivët të tregojnë vetëpërmbajtje dhe proporcionalitet.
"E drejta për protestë duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore dhe nuk mund të përdoret si justifikim për dhunën dhe shkatërrimin", theksoi Ziu, duke shtuar se "Policia e Shtetit nuk është armike e qytetarëve, por partnerja më e besueshme e tyre".
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

