Me më pak se 72 orë para afatit për zgjedhjen e presidentit, protestuesit e iniciativës “Jo në emrin tim” trokitën te shtëpitë e tre krerëve të grupeve parlamentare. Ata kërkojnë votimin e menjëhershëm të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Presioni për ligjin e Dhomave të Specializuara ka dalë nga oborri i Kuvendit dhe ka mbërritur te dyert e shtëpive. Protestuesit e iniciativës “Jo në emrin tim” ndalën para shtëpive të tyre tre kryetarët e grupeve parlamentare: Arbërie Nagavcin e LVV-së, Arian Tahirin e PDK-së dhe Besnik Tahirin e Aleancës (AAK), duke u kërkuar llogari për vonesat në votimin e projektligjit.
Kërkesa ishte e prerë: seanca e Kuvendit të thirret sa më parë dhe projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të kalojë në votim. Për protestuesit, ky akt është i domosdoshëm për mbrojtjen e UÇK-së dhe të ish-pjesëtarëve të saj. Ata u bënë thirrje krerëve të grupeve që zotimet e dhëna t'i kthejnë në veprim konkret, duke siguruar mbështetjen e deputetëve për procedimin dhe miratimin e ndryshimeve pa vonesë.
Të tre deputetët u përballën drejtpërdrejt me protestuesit. Nagavci këmbënguli se pjesa e saj e punës ishte kryer, pasi nënshkrimet për thirrjen e seancës ishin mbledhur tashmë. “Nënshkrimet i kemi mbledh, është turp për ty me më thanë mu marrë pa bo asgjë”, iu kthye ajo njërit prej protestuesve.
Besnik Tahiri shkoi një hap më tej, duke thënë se nënshkrimet ishin dorëzuar dy ditë më parë dhe se projektligji ekziston. Ai përmendi me emër edhe ish-krerët e UÇK-së që gjykohen në Hagë: “Po i kemi mbledh edhe i kena dhanë nënshkrimet pardje. Nënshkrimet janë, ligji është. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi kanë nevojë për këtë ligj”.
Arian Tahiri e zhvendosi përgjegjësinë te drejtuesja e institucionit. Sipas tij, procedura duhet të vazhdojë në Kuvend dhe hapi tjetër i takon kryetares së Kuvendit. “Ligji për Gjykatën Speciale është Kuvend e tash duhet kryetarja e Kuvendit sa ma shpejt me thirrë seancën”, deklaroi ai.
Nxitimi i protestuesve lidhet me kalendarin politik. Aksioni u zhvillua kur kanë mbetur më pak se 72 orë deri në përfundimin e afatit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Sipas iniciativës, nëse presidenti nuk zgjidhet dhe vendi shkon në zgjedhje, rrezikohet që projektligji të mbetet pa u miratuar nga kjo përbërje e Kuvendit.
Pa u bërë ende e ditur nëse seanca është thirrur, iniciativa “Jo në emrin tim” e përsëriti kërkesën e saj me të njëjtën gjuhë si në ditët e para: thirreni seancën dhe votojeni ligjin që, sipas saj, mbron UÇK-në.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

