Vetëm një ditë pas përplasjeve me policinë, protestuesit janë sërish në Prishtinë dhe u japin deputetëve një ultimatum: ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara duhet të kalojnë në lexim të dytë, përndryshe rruga nuk lirohet.

Një ditë pasi tubimi i së hënës përfundoi në përplasje mes protestuesve dhe policisë, sheshi u mbush sërish. Në Prishtinë ka nisur një protestë e re në mbështetje të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, me një kërkesë të vetme drejtuar Kuvendit: votimi i projektligjit në lexim të dytë.
Toni u dha nga Çlirim Haziri, njëri nga organizatorët e protestës. Para turmës, ai iu drejtua drejtpërdrejt deputetëve: "Ose votojeni ligjin, ose dilni në zgjedhje me ‘vulën e turpit’".
Haziri paralajmëroi se protestat do të vazhdojnë për sa kohë projektligji nuk votohet. "Derisa ligji të votohet, ne nuk e bëjmë asnjë hap prapa", shtoi ai, duke ua kujtuar ligjvënësve se vendimi i tyre do të mbetet i shënuar: "Kjo masë do t’ju ndjekë si hije, sepse kush luan me themelet e kombit, nuk do të gjejë paqe".
Gjatë ditës, protestuesit raportohet se u zhvendosën para hyrjes së Kuvendit të Kosovës, ku vazhduan t’u kërkojnë deputetëve që t’i votojnë ndryshimet. Mes tyre ishte edhe një përfaqësues i OVL-së së UÇK-së, i cili kërkoi shfuqizimin e Gjykatës Speciale dhe ngulmoi që procesi në Kuvend të përfundojë brenda ditës.
Projektligji për ndryshimet në ligjin që rregullon Dhomat e Specializuara është miratuar në lexim të parë më 5 tetor. Votimi në lexim të dytë, hapi që do ta përmbyllte procesin, ende nuk ka ndodhur, dhe pikërisht ky vonim është shkaku i protestave që po përshkallëzohen në kryeqytet.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

