Dhjetëra mijëra njerëz kërkuan në Prishtinë mbrojtje shtetërore për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin. Pas protestës, PDK i kërkon Kurtit ta sjellë menjëherë ligjin për Specialen në Kuvend, ndërsa Vetëvendosja thotë se zgjedhja e presidentit vjen e para.

Dhjetëra mijëra qytetarë mbushën të enjten sheshet kryesore të Prishtinës në protestë kundër dënimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Brenda pak orësh, thirrjet nga sheshi u kthyen në një përplasje të hapur politike: Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kërkon ndryshimin e ligjit për Specialen pa asnjë vonesë, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e lidh këtë hap me zgjedhjen e presidentit dhe me stabilitetin institucional.
Protesta u organizua nga platforma "Liria ka Emër". Turma valëviti flamuj të UÇK-së dhe mbajti pankarta në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, katër ish-krerëve të UÇK-së të dënuar nga Dhomat e Specializuara. Protestuesit kërkuan angazhim institucional për mbrojtjen dhe lirimin e tyre.
Mesazhi që përshkoi fjalimet ishte "Jo në emrin tonë". Organizatorët dhe folësit u kërkuan Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës veprime konkrete dhe miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Çlirim Haziri, një nga organizatorët, iu drejtua të rinjve duke vlerësuar sakrificën e brezit të luftës dhe kërkoi që drejtësia të mbështetet në prova dhe në standarde të drejta. Nasim Haradinaj, ish-nënkryetar i OVL-UÇK-së, u bëri thirrje deputetëve për bashkim dhe përgjegjësi, ndërsa ndërkombëtarëve u kërkoi ta rikthejnë besimin që, sipas tij, ishte krijuar gjatë luftës së UÇK-së. Edhe Muhamet Mavraj, Lavdije Leci dhe Gazmend Syla folën për sakrificat për lirinë e Kosovës dhe kërkuan drejtësi për ish-krerët.
Ismail Tasholli, përfaqësues i platformës, tha se protesta nuk ka lidhje me partitë politike dhe paralajmëroi se mobilizimi do të vazhdojë. "Liria ka Emër nuk e ka ndërmend me u ndalë, po do i shohim edhe aktivitetet e tjera, prej atyre më kreative, deri te ato radikale", tha ai.
Pasi turma u shpërnda, ndërtesa e Qeverisë së Kosovës u ndriçua me flamurin e UÇK-së, në shenjë solidarizimi me ish-drejtuesit që po gjykohen në Hagë. Gjesti nuk e qetësoi opozitën. Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, reagoi në Facebook duke i kërkuar Albin Kurtit vepra në vend të simboleve: "Dhe kërkesa drejtuar Albin Kurtit është e qartë: silleni ligjin në Kuvend dhe votojeni. Pa humbur kohë. UÇK-ja ka nevojë për mbrojtje shtetërore, jo për instalacione e fjalë boshe. Vepra, Albin. Jo fjalë".
Nga ana tjetër, shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, tha në RTK se zgjedhja e presidentit është "prioritet mbi prioritete" dhe se asnjë çështje nuk mund ta kalojë atë në radhë, përfshirë edhe lobimin shtetëror kundër aktgjykimit dënues ndaj katërshes së UÇK-së. Ajo e paraqiti votimin për presidentin si kusht për të gjitha hapat e tjerë: "Me pjesëmarrje në zgjedhjen e presidentit ne jo vetëm që shmangim edhe një palë zgjedhje të reja, kursejmë buxhetin e shtetit, por jemi në funksion të adresimit të temave të rëndësishme, në radhë të parë përgatitja dhe pjesëmarrja e të gjitha institucioneve në strategjinë shtetërore për ta adresuar këtë vendim të padrejtë në Gjykatën e Apelit".
Nagavci shtoi se pret përgjegjësi nga çdo aktor politik për t'i kryer detyrat në Kuvend, një mesazh që e lë çështjen e ligjit për Specialen të varur nga zhbllokimi i zgjedhjes së presidentit.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

