Ndërsa protesta masive në Prishtinë po merrte fund, kryeministri Albin Kurti publikoi një video nga takimi me Ursula von der Leyen. Vetëm në fund të postimit iu drejtua vendimit të Gjykatës Speciale, të cilin e cilësoi të mbushur me pasaktësi.

Protesta masive e sotme në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të dënuar në shkallë të parë nga Gjykata Speciale, po shkonte drejt përfundimit kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, publikoi një video. Ajo nuk ishte nga sheshi. Ishte nga vizita e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Pjesa më e madhe e postimit i kushtohet rrugës evropiane të Kosovës. Vendimi i Dhomave të Specializuara në Hagë vjen vetëm në rreshtat e fundit, por me fjalë të ashpra. "Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara në Hagë ka pasaktësi faktike, historike dhe ligjore, që duhet të korrigjohen me doemos në apel", shkroi Kurti.
Kryeministri solli edhe argumente konkrete. "Derisa e ashtuquajtura Shtëpi e Verdhë nuk u bë as pjesë e aktakuzës, ranë pretendimet për krime kundër njerëzimit dhe sulme të gjera e sistematike ndaj popullsisë civile", theksoi ai, duke shtuar se "shqetësuese mbetet mungesa e thellë e transparencës dhe qasja tërësisht monoetnike e kësaj gjykate".
Para se të ndalej te Specialja, Kurti e përshkroi vizitën e von der Leyen si të gjashtën në Kosovë në po aq vite. Sipas tij, Kosova është tërësisht e linjëzuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian dhe i plotëson të gjitha kriteret për statusin e vendit kandidat dhe për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Në prag të katërvjetorit të aplikimit, ai i kërkoi presidentes së Komisionit mbështetje për hapjen e procesit të anëtarësimit. "Statusin e vendit kandidat Kosova e meriton", shkroi ai.
Kurti iu drejtua edhe Kuvendit. Ai njoftoi se Qeveria, pesë ditë më parë, miratoi 10 nga 12 ligjet që kanë afat qershorin dhe i ridërgoi ato në parlament. "Jam i bindur se deputetët do të veprojnë shpejt, që qytetarët e Kosovës të përfitojnë plotësisht nga Plani i Rritjes", shkroi kryeministri, duke paralajmëruar se bllokada në parlament mund të lërë prapa fondet evropiane për këto reforma.
Portali Lajmi.net e paraqiti kohën e publikimit si shenjë se protesta nuk i bëri përshtypje kryeministrit. Në postimin e tij, Kurti nuk e përmend drejtpërdrejt tubimin e mbajtur në kryeqytet.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

