Tri vietnameze dhe dy kineze u kapën në tre apartamente me qira ditore në kryeqytet, ndërsa një 35-vjeçar vietnamez, i dyshuar si shfrytëzues, është në arrati. Policia thotë se gjurma e çoi te postimet në rrjete sociale.

Pesë gra të huaja, tri shtetase vietnameze dhe dy kineze, janë arrestuar në Tiranë, të dyshuara se ushtronin prostitucion në tre apartamente të marra me qira ditore, ndërsa veprimtaria reklamohej edhe në rrjete sociale. Sipas Policisë së Shtetit, arrestimet erdhën me finalizimin e operacionit të koduar "Last meeting", të drejtuar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve.
Apartamentet ndodheshin në rrugët "Qemal Stafa", "Him Kolli" dhe "Tomor Malasi". Policia i identifikon të arrestuarat me inicialet V. P., 40-vjeçe, P. K., 42-vjeçe, dhe P. M., 33-vjeçe, të treja me shtetësi vietnameze, si dhe L. Y. dhe X. H., të dyja 42-vjeçe, me shtetësi kineze.
Në qendër të hetimit është edhe një shtetas vietnamez 35-vjeçar, me inicialet T. T., i cili është shpallur në kërkim. Sipas policisë, ai dyshohet se, kundrejt përfitimeve, u siguronte tri shtetaseve vietnameze të arrestuara kushtet për ushtrimin e kësaj veprimtarie. Ai nuk është kapur ende dhe policia bën të ditur se punohet intensivisht për gjetjen e tij.
Dy shtetas të tjerë, të cilët policia i përshkruan si përfitues nga kjo veprimtari, janë vënë në hetim. Gjatë operacionit u sekuestruan gjithashtu pesë celularë, me të cilët, sipas hetuesve, bëheshin postimet rreth kësaj veprimtarie.
Operacioni, sipas Policisë së Shtetit, është rezultat i punës operative dhe i monitorimit të hapësirës digjitale, me synim zbulimin dhe goditjen e rasteve kur prostitucioni nga shtetase të huaja në banesa me qira ditore në kryeqytet reklamohet në rrjete sociale. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

