Në ditën e fundit të gjykimit për pengim të drejtësisë, Prokuroria e Specializuar këmbënguli se ish-presidenti Hashim Thaçi ndërhyri drejtpërdrejt te dëshmia e Bislim Zyrapit, duke kërkuar nga gjykata të lexojë me kujdes transkriptet e vizitave.

Një orë kohë dhe një kërkesë të vetme drejtuar gjyqtarëve: lexoni transkriptet. Kështu e mbylli Prokuroria e Specializuar kundërpërgjigjen e saj në Hagë, në ditën përfundimtare të procesit gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të akuzuar për tentim të pengimit të drejtësisë.
Prokurori Joshua Hafetz u ndal te dy vizita konkrete, ajo e 9 shtatorit dhe ajo e 7 tetorit 2023,. Sipas tij, në prani të të akuzuarit Smakaj, Thaçi dha udhëzime të hollësishme mbi atë që dëshmitari Bislim Zyrapi duhej apo nuk duhej të thoshte para trupit gjykues, veçanërisht për sa i përkiste Shtabit të Përgjithshëm.
Teza e mbrojtjes, se bëhej fjalë vetëm për mesazhe ndihmëse, u kundërshtua drejtpërdrejt nga prokuroria. "Pretendimi tani se udhëzimet e Thaçit, sa i takon mesazheve që i duheshin përcjellë Zyrapit, ishin thjesht ndihmëse dhe ishin udhëzime për të nxjerrë në pah të vërtetën dhe për të mos i përzier gjërat, në thonjëza, bie ndesh me atë çfarë tregojnë fjalët e zbardhura në transkripte... Udhëzimet e përsëritura të zotit Thaçi, në vizitat me zotin Smakaj, si në rastin e vizitës me Kuçin, kishin për qëllim që të kontrollonin atë çfarë do të thoshte Zyrapi, apo atë çfarë nuk do të thonte ai përpara trupit gjykues. Në veçanti, qëllimi ishte që të kontrollonte çfarë Zyrapi do të thoshte lidhur me Shtabin e Përgjithshëm", tha Hafetz.
Prokuroria pretendon se pas gjithë atyre udhëzimeve qëndronte një interes personal i të akuzuarit. "Në të gjitha udhëzimet e veta, sigurisht që synimi i zotit Thaçi ishte që të ndihmonte veten. Shumë prej këtyre udhëzimeve konkrete jepen në hollësi në dosjen gjyqësore të prokurorisë dhe që citojnë drejtpërdrejt transkriptet. Ju kërkojmë, i nderuar gjykatës, që të shikoni dokumentacionin e kësaj çështjeje", u shpreh prokurori.
Kundërpërgjigjet e sotme vijnë pas dy ditësh të javës së kaluar, të enjten dhe të premten, kur Prokuroria e Specializuar dhe ekipet mbrojtëse paraqitën fjalët e tyre përfundimtare. Për replikën e fundit, mbrojtjes së Thaçit i janë ndarë 30 minuta, ndërsa secili prej ekipeve të tjera mbrojtëse ka nga 15 minuta.
Të pesë të akuzuarit mbeten të pafajshëm derisa gjykata të vendosë ndryshe dhe pretendimet e prokurorisë nuk janë provuar ende para trupit gjykues.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

