Ish-deputeti i LDK-së, Gani Geci, do ta kalojë muajin e ardhshëm në paraburgim. Gjykata Themelore në Prishtinë e pranoi kërkesën e Prokurorisë, e cila dyshon se ai e kanosi gazetarin Lirim Mehmetaj për shkak të një postimi në Facebook.

Ish-deputeti i LDK-së, Gani Geci, mbetet pas hekurave për 30 ditë. Gjykata Themelore në Prishtinë e miratoi kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe i caktoi masën e paraburgimit, ndërsa ai dyshohet për kanosjen e gazetarit Lirim Mehmetaj.
Vendimi u mor nga gjyqtari i procedurës paraprake, Albert Haliti, pas një seance dëgjimore në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë. Geci qëndroi për më shumë se dy orë në njërën nga sallat e gjykatës, para se të shpallej aktvendimi.
Në qendër të rastit është një postim. Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se më 11 tetor 2026, rreth orës 19:27, Geci u paraqit në zyrat e portalit "VOX Kosova" në Prishtinë, pasi Mehmetaj kishte publikuar në Facebook një shkrim lidhur me deputetin Fatos Geci. Gazetari, sipas Prokurorisë, e kishte refuzuar kërkesën që ta hiqte apo ta ndryshonte postimin.
Në kërkesën e Prokurorisë citohen fjalët që Geci dyshohet t'i ketë thënë drejtpërdrejt gazetarit: "Nëse nuk e hek postimin ose nuk e ndryshon, kena me u vra". Sipas të njëjtit dokument, ai e kishte përsëritur kërkesën: "Pash një Zot, mos na merr në qafë, ndërro postimin se na duhet me u vra".
Presioni, sipas akuzës së Prokurorisë, nuk u ndal aty. Të nesërmen, më 12 tetor 2026, ndërsa Mehmetaj ishte panelist në emisionin "Debat Plus", Geci thuhet se shkoi në afërsi të TV Dukagjinit, publikoi një video në TikTok për t'i bërë të ditur gazetarit se ndodhej aty dhe e priti rreth dy orë që të dilte nga studioja.
Prokuroria pohon se me këto veprime i dëmtuari u vu në gjendje frike, ankthi dhe pasigurie. Geci dyshohet për veprën penale "Kanosja", të parashikuar nga neni 181, paragrafi 2 i Kodit Penal.
Paraburgimi është masë për sigurimin e procedurës dhe jo vendim mbi fajësinë. Geci mbetet i dyshuar derisa gjykata të vendosë ndryshe me vendim përfundimtar.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

