Eksperti amerikan i së drejtës ndërkombëtare Paul Williams, i cili dëshmoi në mbrojtje të Hashim Thaçit, thotë se aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së është pjesë e një përpjekjeje evropiane për të barazuar moralisht palët e konfliktit.

Vendimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe tre ish-drejtuesve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është vënë nën kritikë të ashpër nga profesori amerikan i së drejtës ndërkombëtare, Paul Williams, i cili ka dëshmuar më herët në mbrojtje të Thaçit dhe të akuzuarve të tjerë. Sipas tij, aktgjykimi nuk mund të lexohet vetëm si një akt gjyqësor, por edhe si pjesë e politikës evropiane ndaj Serbisë dhe Kosovës.
Në një intervistë për gazetaren Keida Kostreci, Williams e cilësoi reagimin e tij të parë kështu: "Reagimi im i parë është se kjo është në vazhdën e përpjekjes së Evropës për të krijuar një barazi morale mes palëve në konfliktin e ish-Jugosllavisë".
Profesori amerikan shkoi më tej, duke e quajtur vetë themelimin e Dhomave të Specializuara një gabim të Shteteve të Bashkuara, me argumentin se gjykata, sipas tij, është larguar nga qëllimi për të cilin u krijua.
Në thelb të kundërshtimit të tij qëndron çështja e përgjegjësisë komanduese. Williams tha se, sipas interpretimit të tij të provave dhe përmbledhjes së aktgjykimit, në rastin e katër ish-krerëve të UÇK-së nuk sheh të njëjtin nivel të përgjegjësisë së drejtpërdrejtë komanduese që është konstatuar në procese të tjera ndërkombëtare për krime lufte. Ai argumentoi se UÇK-ja nuk kishte një strukturë tradicionale të komandës dhe kontrollit dhe se, për këtë arsye, përgjegjësia penale nuk mund t'u atribuohet automatikisht udhëheqësve politikë vetëm për shkak të pozitave që kanë mbajtur. Mënyrën se si aktgjykimi e ka interpretuar këtë përgjegjësi, ai e quajti problematike.
Williams iu kthye edhe origjinës së gjykatës, pra raportit të Këshillit të Evropës mbi pretendimet për trafikim dhe transplantim organesh. Sipas tij, ato pretendime nuk u vërtetuan dhe nuk përfunduan në aktakuzën përfundimtare, ndërsa pas themelimit të gjykatës fokusi u zhvendos drejt pretendimeve të tjera për krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së. Kjo, argumentoi ai, ka ushqyer një narrativë që i vendos Kosovën dhe Serbinë në një pozicion të barabartë përsa i përket përgjegjësisë për konfliktin, qasje të cilën ai e kundërshton, duke theksuar se viktimat e luftës në Kosovë mund të ndihen të dëmtuara nga një proces i tillë.
Pasojat, sipas tij, shkojnë përtej Hagës dhe përtej Kosovës. Williams paralajmëroi se mënyra se si është zhvilluar ky proces mund të ndikojë te përpjekjet për drejtësi ndërkombëtare edhe në konflikte të tjera, duke përmendur Ukrainën: nëse viktimat perceptojnë se mekanizmat ndërkombëtarë mund të ndikohen politikisht, ata rrezikojnë të humbasin besimin tek ata mekanizma.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

