Pas procesit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, presidentja Justina Shiroka-Pula ka trokitur në derën e familjes së Jakup Krasniqit. Djali i tij, Altin Krasniqi, e ktheu vizitën në thirrje për unitet në betejat ligjore.

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka vizituar familjen e Jakup Krasniqit, në një periudhë që të afërmit e tij e cilësojnë si të vështirë, pas procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Vizitën e bëri publike djali i Krasniqit, Altin Krasniqi, përmes një postimi ku shprehu mirënjohje për presidenten. Sipas tij, familja i uroi asaj punë të mbarë dhe sukses në misionin e saj në shërbim të Republikës së Kosovës. Data e saktë e takimit nuk është bërë e ditur.
Përtej falënderimit, Altin Krasniqi i dha postimit një mesazh të qartë: rruga për kthimin në atdhe të ish-krerëve të UÇK-së, sipas tij, kalon përmes unitetit dhe angazhimit të përbashkët në rrafshin ligjor.
"Në këto ditë të vështira, jo vetëm për ne si familje, por edhe për shtetin tonë, na duhet unitet, solidaritet dhe përkushtim i palëkundur në betejat ligjore në përpjekjet për rikthimin në atdhe të çlirimtarëve tanë", shkroi ai.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

