Kosova ka kohë deri më 6 tetor për të zgjedhur presidentin e ri, përndryshe shkon në zgjedhje të reja. PDK-ja vendos një kusht të qartë: së pari ndryshimi i ligjit për Dhomat e Specializuara në Hagë.

Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri është në ditët e fundit, dhe çelësi i votave në Kuvend tani varet nga një ligj për gjykatën në Hagë. Bedri Hamza, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), shkoi dje në zyrën e kryeministrit Albin Kurti, i cili është edhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje (VV). Takimi u mbyll pa ujdi.
Llogaria politike është e thjeshtë. Për ta zgjedhur kreun e ri të shtetit, Kurtit i duhen votat e opozitës. PDK-ja, nga ana e saj, kërkon garanci se do të votohet projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, çështje që partia e Hamzës e trajton si urgjencë që duhet zgjidhur para votimit për presidentin.
Pas takimit, Hamza u paraqit shkurt para gazetarëve. "Biseduam për situatën aktuale politike që ka të bëjë me procesin në Hagë, me nevojën që ligji të procedohet dhe aprovohet në Kuvend, dhe tema zgjedhja e presidentit", tha ai.
Kryetari i PDK-së e cilësoi ndryshimin e ligjit për Specialen si "nevojë dhe domosdoshmëri" për partinë e tij, duke lënë të kuptohet se vetëm pas kësaj PDK-ja është e gatshme të hapë bisedimet për presidentin. Dera megjithatë nuk u mbyll. "Nuk ka marrëveshje deri më tani për temat për të cilat kemi biseduar. Është e mundshme që kemi takime edhe ditëve në vijim", theksoi Hamza. Qëndrimi i Kurtit pas takimit nuk është bërë i ditur.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës mbajti mbrëmë një mbledhje elektronike ku i dha dritën e gjelbër ndryshimit të ligjit, në mënyrë që projektligji të dërgohet në Kuvend. Sipas njoftimit të ekzekutivit, vendimi i përgjigjet kërkesës së Kuvendit me nr. Prot.1108 të datës 23.09.2026, lidhur me Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Qeveria, sipas njoftimit, ka dhënë vlerësimin e saj për nismën legjislative në tri pika: opinionin ligjor për përputhshmërinë me legjislacionin e Bashkimit Evropian, vlerësimin e ndikimit buxhetor dhe opinionin ligjor për përmbajtjen e vetë projektligjit.
Presioni i kohës është i madh. Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, afati i fundit për zgjedhjen e presidentit është 6 tetori. Nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë shefin e ri të shtetit deri atëherë, Kosova shkon automatikisht në zgjedhje të reja parlamentare, skenar që vetëm një marrëveshje mes VV-së dhe PDK-së mund ta shmangë.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

