Pas dy goditjeve me dronë pranë pikave kufitare, Varshava ka nisur përforcimin e infrastrukturës kufitare me ushtarë të Regjimentit të 18-të të Inxhinierisë, ndërsa Lituania rrëzoi një dron të pajisur me eksploziv dhe Danimarka akuzon një anije lufte ruse se shënjestroi një helikopter ushtarak.

Ushtarët e Regjimentit të 18-të të Inxhinierisë tashmë janë në terren pranë kufirit polako-ukrainas. Ministri polak i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, njoftoi të martën se vendi po forcon sigurinë në kufirin me Ukrainën, pasi goditjet ruse me dronë pranë pikave të kalimit ngritën shqetësime tek aleatët e NATO-s.
"Ditët e fundit tregojnë se veprimet e Rusisë kërcënojnë sigurinë e gjithë Evropës. Në përputhje me vendimin e qeverisë sonë, infrastruktura e përdorur nga Roja Kufitare po forcohet", shkroi Kosiniak-Kamysz në rrjetin X, pas dy goditjeve të fundjavës. Njëra prej tyre goditi një tren ndërsa një grup ish-zyrtarësh perëndimorë po udhëtonin në atë zonë.
"Ushtarët e Regjimentit të 18-të të Inxhinierisë tashmë po kryejnë detyra, falë të cilave pikat e kalimit dhe infrastruktura pranë kufirit polako-ukrainas do të përforcohen", shtoi ministri.
Ministria ruse e Mbrojtjes konfirmoi të martën dy goditje pranë kufirit polak, duke pretenduar se treni kishte transportuar ngarkesë ushtarake.
Po të martën, zyrtarë ushtarakë në Lituani, një tjetër vend anëtar i NATO-s, bënë të ditur se një dron ishte rrëzuar për herë të parë në hapësirën ajrore të vendit. Sipas Ministrisë lituaneze të Mbrojtjes, droni ishte i pajisur me një pajisje shpërthyese, e cila u asgjësua nga ekspertët e çminimit. Ministria tha se po vazhdon një hetim për të përcaktuar origjinën e dronit.
Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, tha se dronin e rrëzoi një aeroplan luftarak italian i NATO-s, duke shtuar se ai "me shumë gjasa erdhi nga Rusia". Ministria italiane e Mbrojtjes njoftoi se ky ishte incidenti i dytë me aeroplanë luftarakë të vendit brenda një muaji. "Edhe për shkak të incidenteve si ky, prania e ushtarëve tanë në Krahun Lindor është thelbësore për të siguruar sigurinë e përbashkët", tha Crosetto.
Një incident i tretë ka prekur Danimarkën. Forcat e Armatosura daneze njoftuan të martën se një helikopter ushtarak danez ishte shënjestruar nga një anije lufte ruse, e cila të hënën lëshoi dy raketa ndriçuese emergjence ndërsa helikopteri po bënte fotografime rutinë të anijes në ujëra ndërkombëtare.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, shprehu mbështetje për Danimarkën "pas veprimit provokues dhe të papranueshëm të Rusisë". "Moska vazhdon përpjekjet e saj për ta destabilizuar Evropën, jo vetëm Danimarkën", shkroi ai në X, duke bërë thirrje për veprim të përbashkët dhe të vendosur për ta mbrojtur Evropën nga kërcënimet ruse.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha të hënën se goditjet pranë territorit të Aleancës pasqyrojnë "dëshpërimin" e presidentit rus Vladimir Putin dhe dëshirën e tij "për të mbjellë frikë dhe terror". Rutte ka premtuar forcimin e mbrojtjes së aleancës me 32 vende anëtare përgjatë kufirit me Rusinë dhe aleatin e saj të ngushtë, Bjellorusinë.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

