Një tubim për zgjedhjet parlamentare në Serbi, i mbajtur në shkollën teknike në Mitrovicë të Veriut, u ndërpre nga Policia e Kosovës. Zëvendësdrejtori rajonal Veton Elshani thotë se aty u panë zyrtarë të Listës Serbe dhe se aktivitete të tilla nuk do të lejohen.

Në shkollën teknike në Mitrovicë të Veriut po mbahej një tubim parazgjedhor për zgjedhjet parlamentare në Serbi, derisa Policia e Kosovës ndërhyri dhe e ndërpreu.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha në një deklaratë për RTKLive se policia kishte marrë informatë për tubimin dhe se veproi sipas udhëzimeve të qarta. "Ne kemi instruksione nga autoritetet urdhërdhënëse që të mos lejojmë asnjë aktivitet të tillë parazgjedhor të Serbisë në territor të Kosovës", deklaroi ai.
Sipas Elshanit, në tubim janë parë zyrtarë të Listës Serbe. Të pranishmit, tha ai, e mohuan karakterin zgjedhor të takimit dhe pretenduan se ishin mbledhur për tema arsimore. "Nga turma e njerëzve është pretenduar se po bëhet fjalë për një mbledhje për çështje arsimi. Megjithatë u shpërndanë menjëherë", shtoi Elshani.
Zyrtari policor theksoi se aktivitete të ngjashme për zgjedhjet në Serbi nuk do të lejohen në territorin e Kosovës. Nuk është bërë e ditur nëse ndonjë person është shoqëruar apo ndaluar gjatë ndërhyrjes.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

