Forca të shtuara policore janë vendosur mëngjesin e sotëm pranë objektit të Qeverisë së Kosovës, ku është paralajmëruar edhe sot një protestë kundër dënimit me 81 vjet burgim të katër ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë.

Uniforma dhe njësi policore më të dendura rreth ndërtesës së Qeverisë së Kosovës: kjo ishte pamja e mëngjesit të sotëm në qendër të Prishtinës, ku pritet mbajtja e një proteste të re kundër vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë.
Policia e Kosovës ka shtuar praninë në zonën përreth objektit qeveritar, në kuadër të masave të sigurisë për protestën e paralajmëruar. Forca të shtuara janë parë në afërsi të ndërtesës, pikërisht në kohën kur para saj është njoftuar tubimi i dytë brenda dy ditësh.
Protesta pritet të mbahet në shenjë pakënaqësie dhe revolte ndaj aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.
Një protestë e ngjashme u mbajt një ditë më parë, fillimisht para objektit të EULEX-it dhe më pas para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Ende nuk është bërë e ditur ora e saktë e tubimit të sotëm dhe as kush e ka paralajmëruar atë.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

