Policët e rendit në Kosovë vazhdojnë të punojnë me uniforma të vjetra, ndërsa shpërndarja e rregullt sipas rregullores nuk është bërë që nga viti 2021, thotë sindikata. Ish-drejtori Reshat Maliqi kujton se dimri në terren nuk përballohet me veshje vere.

Zyrtarët e policisë së rendit në Kosovë nuk kanë marrë uniforma të reja me shpërndarje të rregullt që nga viti 2021. Këtë e pohon kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Avdi Hoti, i cili thotë se gjatë kësaj periudhe uniformat janë dhënë vetëm aty ku ka pasur nevojë, por jo në mënyrën që e parasheh rregullorja.
Sipas Hotit, mungesa prek policinë e rendit, ndërsa njësitë speciale nuk e kanë këtë problem: "Policia e Njësive Speciale, vazhdimisht kanë pasur furnizim", tha ai. Raportohet se uniformat e policëve nuk janë ndërruar prej pesë vitesh, ndërsa një zyrtar policor, emri i të cilit nuk u bë publik, thotë se ka tri vjet që punon me të njëjtat uniforma.
Hoti shpreh besimin se furnizimi do të bëhet në fund të tetorit ose në fillim të nëntorit. Në të kundërtën, ai paralajmëron se sindikata do ta ngrejë sërish çështjen: "Nëse nuk ndodh, ne përsëri do të japim informata".
Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, thotë se institucioni ka detyrimin të sigurojë me kohë veçanërisht uniformën e verës dhe atë të dimrit, "sepse në kohë të dimrit nuk ka mundësi që të punohet në terren, me uniforma të verës". Ai pranon se vonesat nuk janë diçka e re: "Është e vërtetë se gjithmonë kemi hasur në telashe me vonesa të shumta të uniformës, për arsye të lloj-llojshme që kanë ndodhur".
Uniformat nuk janë i vetmi hall. Sipas Maliqit, policia përballet edhe me mungesë hapësirash dhe ka nevojë për objekte të reja.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

