Para protestës së paralajmëruar për orën 21:00 në sheshin qendror të Prishtinës kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë, Policia e Kosovës hedh poshtë pretendimet në rrjetet sociale se qytetarët po ndëshkohen për simbolet e UÇK-së dhe thotë se masat kanë të bëjnë vetëm me ngasjen e pakontrolluar pas protestave.

Persona me maska që dalin nëpër dritare dhe qëndrojnë mbi vetura në lëvizje: kjo është pamja që, sipas Policisë së Kosovës, ka shtyrë forcat e rendit të ndërhyjnë në rrugët e Prishtinës pas protestave të qeta të ditëve të fundit. Institucioni ka dalë me një sqarim publik për të ndarë qartë masat në trafik nga simbolet që mbajnë protestuesit.
Njoftimi vjen ndërsa Policia thotë se po vazhdon angazhimin e kapaciteteve njerëzore dhe logjistike për protestën e paralajmëruar për në orën 21:00 në sheshin qendror të kryeqytetit, në kundërshtim të aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë.
"Policia e Kosovës, në kuadër të angazhimeve të saj për ruajtjen e rendit, qetësisë publike dhe garantimin e sigurisë së përgjithshme, po vazhdon të angazhojë kapacitetet e veta njerëzore dhe logjistike lidhur me paralajmërimet për mbajtjen e protestës sot, në orën 21:00 në sheshin qendror të Prishtinës, në kundërshtim të aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë", thuhet në njoftimin zyrtar, të titulluar "Angazhimet policore në mbarëvajtje të protestës dhe trafikut rrugor".
Sipas Policisë, problemi nuk ka nisur në shesh, por pasi protestuesit janë shpërndarë. "Siç kemi njoftuar edhe në ditët e kaluara dhe në ditën e djeshme, përmes publikimeve zyrtare se; pas përfundimit të protestave të qeta në kryeqytet, një grup pjesëmarrësish, përfshirë personat me maska, po vazhdojnë protestimet e defilimet me automjetet e tyre nëpër rrugët e kryeqytetit, duke vozitur në mënyrë të pakontrolluar e të rrezikshme, duke dalë e qëndruar nëpër dritare e mbi vetura, duke rrezikuar jetën e tyre dhe gjithë pjesëmarrësit e tjerë në trafik, përfshirë këmbësorët", thekson institucioni.
Qëllimi i ndërhyrjeve, sipas të njëjtit njoftim, është i kufizuar: "Veprimet policore në terren siç kemi sqaruar në vazhdimësi kanë të bëjnë ekskluzivisht me parandalimin e ngasjes së rrezikshme e të pakontrolluar të disa automjeteve pas protestave, kanë për qëllim mbrojtjen e jetës së këmbësorëve dhe garantimin e sigurisë në trafik për të gjithë pjesëmarrësit si dhe lehtësimin në qarkullim të trafikut në përgjithësi."
Pjesa më e ashpër e reagimit u dedikohet publikimeve në rrjetet sociale. "Policia përgënjeshtron fuqishëm dezinformatat e shpërndara nga individë të caktuar në rrjetet sociale, se kinse po ndalohen, ndëshkohen apo po ushtrohet dhunë ndaj qytetarëve që mbajnë flamurin e UÇK-së në veturat e tyre", thuhet në njoftim. Institucioni shkon më tej: "Me përgjegjësi të plotë ju njoftojmë se Policia e Republikës së Kosovës nuk ka ndaluar, ndëshkuar, e as ushtruar dhunë ndaj asnjë qytetari, për shkak të simboleve historike kombëtare apo simboleve të UÇK-së, por për shkak të shkeljeve ligjore."
Policia e përshkruan rolin e saj si detyrë ligjore: "Garantimi i sigurisë për qytetarët, mbarëvajtja e protestës në mënyrë të qetë e të sigurt, menaxhimi i trafikut dhe parandalimi i vozitjeve të rrezikshme, janë detyrë e Policisë së Kosovës, e të cilat bëhen në interes të sigurisë së përgjithshme."
Në fund, institucioni u drejtohet publikut dhe mediave: "Policia e Kosovës si çdo herë falënderon qytetarët për bashkëpunim dhe mirëkuptim, njëkohësisht u bën thirrje qytetarëve dhe mediave që të mbështeten vetëm në informacionet zyrtare dhe të shmangin përhapjen e pretendimeve të pakonfirmuara, veçanërisht kur ato mund të ndikojnë në perceptimin e sigurisë dhe të krijojnë shqetësim të panevojshëm dhe dezinformim në opinion."
Sa masa apo gjoba janë shqiptuar deri tani ndaj vozitësve, Policia nuk e ka bërë të ditur.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

