Një i ri 29-vjeçar u vra me armë zjarri në shtëpinë e tij në Pogragjë të Gjilanit, ndërsa i dyshuari kryesor është i ati, i cili ende nuk është gjetur. Vetura e tij u gjet pranë kufirit në Kukaj.

Një baba 53-vjeçar nga Pogragja e Gjilanit kërkohet nga Policia e Kosovës, pasi dyshohet se mbrëmjen e së dielës ka privuar nga jeta me armë zjarri djalin e tij 29-vjeçar. I dyshuari mbetet në arrati.
Gjurma e vetme deri tani është vetura e tij. Sipas një kushëriri të viktimës, automjeti është gjetur në Kukaj, pranë kufirit, ndërsa për vendndodhjen e babait nuk dihet asgjë.
Në shtëpinë ku ndodhi vrasja, policia ka sekuestruar dy pushka, një pistoletë, 68 fishekë dhe katër gëzhoja.
Sipas Prokurorisë Speciale, motivet e krimit janë ende të panjohura. Prokuroria bën të ditur se as i dyshuari, as viktima nuk kanë pasur të kaluar kriminale, dhe se nuk ka pasur asnjë rast të raportuar për dhunë në familje.
Kjo përputhet me atë që thonë edhe të afërmit. Ndërsa trupi i të riut ndodhej në obduksion, familja hapi dyert për ngushëllime, e tronditur nga një ngjarje që, sipas tyre, askush nuk e kishte paralajmëruar. Të dy, thonë ata, nuk kishin pasur kurrë probleme me askënd.
"Është i afërmi im, kushëri. Kurrë nuk kemi dëgjuar që ka pasur ndonjë problem. As vëllai i tij nuk di të na tregojë nëse ka pasur ndonjë konflikt. Por, kështu qenka shkruar. Nuk kemi ende informata. Vetura i është gjetur në kufi, në Kukaj, ndërsa për babanë ende nuk dihet asgjë", tha kushëriri i viktimës.
Vrasja në Pogragjë është rasti i tretë i rëndë brenda familjes që trondit Gjilanin në periudhën e fundit, pas ngjarjes së së premtes, kur dy persona humbën jetën nga armë zjarri.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

