Një konflikt për motive të dobëta në fshatin Adriatik të Kurbinit përfundoi me armë në dorë. Policia arrestoi një 34-vjeçar, të dyshuar se kërcënoi një 72-vjeçar dhe dy djemtë e tij, dhe i sekuestroi një pistoletë me municion luftarak.

Një pistoletë, dy krehra dhe municion luftarak u gjetën gjatë kontrollit të banesës së një 34-vjeçari në fshatin Adriatik të Kurbinit, i cili dyshohet se kërcënoi me armë zjarri tre anëtarë të një familjeje.
Sipas Policisë, ngjarja ndodhi mbrëmjen e 22 gushtit, rreth orës 20:00. Pas një konflikti të nisur për motive të dobëta, i dyshuari, i identifikuar me inicialet N. N. dhe banues në të njëjtin fshat, kanosi me armë 72-vjeçarin N. N. dhe djemtë e tij, M. N., 43 vjeç, dhe A. N., 50 vjeç. Gjatë përplasjes, gjithnjë sipas Policisë, ai goditi me grushte edhe 50-vjeçarin.
Sapo morën informacionin për kanosjen me armë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin nisën kërkimet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Operacioni, i koduar "Reagimi", përfundoi me vënien e 34-vjeçarit në pranga.
Arma e sekuestruar dyshohet se është pikërisht ajo e përdorur gjatë kanosjes. I arrestuari hetohet për veprat penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit", "Kanosja" dhe "Dëmtime të tjera me dashje". Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa ndaj tij vlen prezumimi i pafajësisë derisa të provohet e kundërta nga gjykata.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

