Një peticion online për shfuqizimin e Gjykatës Speciale qarkullon në emër të platformës “Liria ka Emër”, por platforma thotë se nuk ka asnjë lidhje me të dhe e ka raportuar rastin në polici.

Një link që kërkon nënshkrime "kundër vendimit të Gjykatës Speciale" ka mbushur bisedat në Messenger dhe WhatsApp, por platforma nën emrin e të cilës qarkullon thotë se nuk ka asnjë lidhje me të.
Peticioni online u publikua dje në emër të platformës “Liria ka Emër”, duke i ftuar qytetarët të nënshkruajnë në mbështetje të çlirimtarëve dhe për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Ai u shpërnda me shpejtësi në rrjete sociale dhe aplikacione të komunikimit.
Platforma e mohon çdo lidhje me iniciativën dhe thekson se rasti është dërguar në organet e rendit. “Sa i përket peticionit të djeshëm në emër të ‘Liria ka Emër’, nuk ka qenë i lëshuar nga ne dhe si të tillë e kemi raportuar në polici për përdorim të emrit të platformës”, thuhet në përgjigjen e platformës.
Ndërkohë, një qytetar ka përshkruar publikisht shkallën e shpërndarjes së linkut: “Që nga mëngjesi, në Messenger-in dhe WhatsApp-in tim kanë ardhur shumë thirrje për të votuar kundër vendimit të Gjykatës Speciale përmes këtij linku”. Sipas tij, linku është i rremë dhe qytetarët duhet të shmangin dhënien e të dhënave personale pa verifikuar më parë burimin e faqes.
Kush i qëndron pas peticionit ende nuk dihet. Pas distancimit publik të platformës, qytetarët këshillohen të tregojnë kujdes me faqet dhe formularët online që përdorin emrin e “Liria ka Emër” apo që kërkojnë mbledhje të të dhënave personale.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

