Tre ballgjerë me peshë deri mbi 50 kilogramë janë gjetur të ngordhur në Liqenin e Badovcit. Peshkatarët sportivë kishin vënë re që ditë më parë një sjellje të pazakontë të këtyre peshqve në ujëra të cekëta.

Tre peshq të llojit ballgjër, secili me peshë të jashtëzakonshme, janë gjetur të ngordhur në Liqenin e Badovcit. Njoftimin e ka bërë Shoqata e Peshkatarëve Sportivë Rekreativë "Krapi", e cila ka nxjerrë një ekip në terren menjëherë pasi ka marrë informacionet, gjatë ditës së 19 shtatorit.
Përmasat e peshqve janë ato që e bëjnë rastin të veçantë. "Biomasa e tyre është jashtëzakonisht e madhe: dy prej tyre vlerësohen të jenë rreth 40 kg, ndërsa i treti kalon peshën prej 50 kg", thuhet në njoftimin e shoqatës.
Inspektimi nuk ka mundur të përfundojë. "Për shkak të orëve të vona dhe reshjeve të vazhdueshme të shiut gjatë mbrëmjes, puna në terren është ndërprerë përkohësisht. Inspektimi dhe verifikimi i mëtejshëm do të vazhdojë nesër për të konstatuar shkaqet e plota të kësaj ngjarjeje", ka njoftuar "Krapi".
Dyshimet e peshkatarëve nuk kanë nisur me gjetjen e trupave të peshqve. Sipas shoqatës, ballgjerët zakonisht qëndrojnë në thellësi dhe nuk frekuentojnë ujërat e cekëta, ndërsa një prej tyre ishte parë pikërisht atje pak kohë më parë: "Vetëm 3 ditë më parë, njëri nga këta peshq është incizuar i gjallë nga një peshkatar në një zonë me thellësi ujore prej vetëm rreth 1 metri".
Pas atij rasti, thotë shoqata, situata në liqen është monitoruar me kujdes, pasi dalja e peshqve në ujëra të cekëta u konsiderua sinjal se mund të kishte probleme me gjendjen e tyre shëndetësore ose me mjedisin ujor. Shkaqet e ngordhjes ende nuk janë përcaktuar.
Shoqata "Krapi" ka njoftuar se do të dalë me informacione të reja pasi të përfundojnë verifikimet në terren.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

