Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

Bulevardi "Elez Isufi" në Peshkopi ishte skena e dy ndërhyrjeve të policisë që përfunduan me tre arrestime në flagrancë, sipas Policisë së Shtetit.
Rasti i parë lidhet me dy banorë të fshatit Sinë, me inicialet L. B., 39 vjeç, dhe D. B., 31 vjeç. Sipas policisë, ata dyshohet se kundërshtuan me dhunë dy punonjës policie që po kryenin detyrën, në momentin kur po shoqëroheshin drejt komisariatit. Të dy u arrestuan nga oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë. Arsyeja e shoqërimit të tyre nuk është bërë e ditur.
Në rastin e dytë, specialistët për hetimin e krimeve të Komisariatit të Policisë Dibër ndaluan për kontroll fizik një 36-vjeçar banues në Peshkopi, me inicialet P. D. Gjatë kontrollit, policia i gjeti një thikë dhe një shufër metalike, të cilat u sekuestruan si prova materiale, ndërsa ai u arrestua në flagrancë.
Materialet procedurale për të tre të arrestuarit i janë dërguar Prokurorisë, e cila do të vendosë për hapat e mëtejshëm.
Po i çonte drejt kufirit me Malin e Zi, natën, me automjetin e tij. Policia e Shkodrës arrestoi në flagrancë një 44-vjeçar që transportonte tre shtetas me origjinë afrikane pa asnjë dokument identifikimi.

