Gjermania numëronte në fund të vitit 2025 plot 568 mjekë aktivë me shtetësi të Kosovës, 109 më shumë se dy vjet më parë. Ritmi i tyre i rritjes është pothuajse dyfishi i mesatares së mjekëve të huaj në vend.

Pesëqind mjekë me shtetësi të Kosovës punonin në spitalet e Gjermanisë në fund të vitit 2025. Të dhënat e Dhomës Federale të Mjekëve të Gjermanisë (Bundesärztekammer) tregojnë se gati nëntë nga dhjetë mjekë kosovarë që ushtrojnë profesionin në atë vend janë të angazhuar në sektorin spitalor, ndërsa numri i tyre vazhdon të rritet vit pas viti.
Sipas statistikave të Dhomës, më 31 dhjetor 2025 në Gjermani ishin të regjistruar gjithsej 611 mjekë me shtetësi të Kosovës. Prej tyre, 568 ishin profesionalisht aktivë, ndërsa 43 nuk figuronin si të tillë. Nga mjekët aktivë, 500 punonin në spitale, 38 në shërbime mjekësore jashtë spitaleve, përfshirë ordinancat, dhe 30 në fusha të tjera të veprimtarisë mjekësore. Pjesa që punon në spitale arrin kështu në rreth 88 për qind.
Prirja është e qartë. Në fund të vitit 2023, në Gjermani ushtronin profesionin 459 mjekë me shtetësi të Kosovës. Një vit më vonë numri kishte arritur në 518, ndërsa në fund të vitit 2025 u ngjit në 568. Brenda dy vjetësh janë shtuar 109 mjekë aktivë, një rritje prej rreth 23,7 për qind. Vetëm gjatë vitit 2025 u regjistruan 50 mjekë aktivë më shumë, ose 9,7 për qind krahasuar me fundin e vitit paraprak.
Rritja ndihet më shumë në spitale. Atje, numri i mjekëve kosovarë kaloi nga 412 në vitin 2023 në 464 në vitin 2024 dhe në 500 në fund të vitit 2025, pra 88 më shumë brenda dy vjetësh. Edhe numri i përgjithshëm i të regjistruarve, duke përfshirë ata që nuk ushtrojnë aktivitet mjekësor, u rrit nga 489 në vitin 2023 në 611 në fund të vitit 2025.
Krahasimi me mjekët e tjerë të huaj e bën shifrën edhe më domethënëse. Sipas Bundesärztekammer, gjatë vitit 2025 numri i mjekëve aktivë me shtetësi të huaj në Gjermani u rrit me rreth 5 për qind, duke arritur në 71.480. Në të njëjtën periudhë, mjekët me shtetësi të Kosovës u shtuan me 9,7 për qind, pothuajse dyfish më shpejt. Në fund të vitit 2025, Gjermania kishte gjithsej 446.120 mjekë profesionalisht aktivë, prej të cilëve rreth 16 për qind pa shtetësi gjermane.
Shifrat zyrtare megjithatë nuk e japin domosdoshmërisht pamjen e plotë. Dhoma Federale i klasifikon mjekët e huaj sipas shtetësisë dhe jo sipas prejardhjes, prandaj mjekët me origjinë nga Kosova që kanë marrë ndërkohë shtetësinë gjermane nuk përfshihen në këto të dhëna. Për rrjedhojë, numri real i mjekëve me prejardhje kosovare që punojnë në Gjermani mund të jetë më i lartë se 568. Statistikat nuk tregojnë as se ku i kanë përfunduar studimet apo ku e kanë marrë diplomën mjekët e regjistruar.
Familjet që aplikojnë vonë humbin muaj mbështetjeje, sepse subvencioni për faturat e rrymës nis vetëm nga muaji i aprovimit. Aplikimi për programin 2026-2027 është i hapur deri më 31 mars 2027.

