Brenda 24 orëve u regjistruan 35 vatra zjarri në të gjithë vendin. Pesë mbeten aktive, ndërsa në Dajt, Pukë e Malësi të Madhe operacionet vijojnë me mbështetjen e Forcave të Armatosura.

Zjarret vijojnë të mbajnë të angazhuara qindra forca në terren në Shqipëri. Gjatë 24 orëve të fundit u raportuan 35 vatra zjarri në territorin e vendit, nga të cilat pesë vijojnë aktive dhe tri mbahen nën kontroll, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.
Për përballimin e situatës janë angazhuar 382 forca operacionale dhe 40 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të operacioneve, Forcat e Armatosura kanë vënë në dispozicion 90 efektivë dhe tre helikopterë të Forcës Ajrore.
Në Dajt, Tiranë, puna për shuarjen e flakëve vijon me mbështetjen e 30 efektivëve të Forcave të Armatosura. Sipas autoriteteve, aty nuk ka rrezik për zonat e banuara, ndërsa vatra e Priskës është nën kontroll.
Në Lufaj të Mirditës, vatra mbetet aktive me intensitet të ulët dhe forcat operacionale vijojnë ndërhyrjen, pa rrezik të raportuar për banesat.
Situata më e ndjeshme mbetet në zonën Tërbun–Gjegjan–Gojan të Pukës. Nëse në sipërfaqet pyjore të Tërbunit gjendja është përmirësuar, vatrat në Gjegjan e Gojan vijojnë aktive. Gjatë operacionit është evakuuar një familje, ndërsa ndërhyrja e forcave ka shmangur rrezikun për banesën. Sot ky operacion mbështetet nga 40 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterë.
Në Gjorm të Sipërm, Malësi e Madhe, vijon puna për shuarjen e një vatre të riaktivizuar, ku janë angazhuar dy automjete zjarrfikëse dhe gjashtë efektivë të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit. Në Tunjë të Re të Gramshit strukturat punojnë për izolimin dhe shuarjen e zjarrit, pa rrezik për zonat e banuara.
Gurë-Lura mbetet nën kontroll pas shuarjes së zjarrit, ndërsa në Qafë-Helmes vijon puna e forcave operacionale, gjithashtu pa rrezik për banesat.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e pandërprerë të situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

