Asnjë deputet nuk votoi kundër, por amendamenti për protezat e invalidëve të luftës nuk kaloi. Ministri i Financave thotë se çështja është zgjidhur që në vitin 2024, ndërsa deputetët e opozitës thonë se ankesat vazhdojnë.

Një milion euro për proteza, pajisje dhe mjete të tjera mjekësore për invalidët e luftës nuk do të shtohen në buxhetin e rishikuar të Kosovës për vitin 2026. Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere nuk e mbështeti amendamentin me pesë vota për, asnjë kundër dhe pesë abstenime.
Propozimi vinte nga Komisioni për Mirëqenie Sociale, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Personat e Pagjetur. Ai u shqyrtua gjatë diskutimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2026 dhe synonte ndryshimin e nenit 6 të projektligjit, që lidhet me nenin 32 të ligjit bazë. Kryetari i Komisionit të Buxhetit, Enver Haliti, e paraqiti thelbin e tij thjesht: "Të shtohet edhe 1 milion euro për pajisjet, protezat dhe mjetet tjera mjekësore për invalidët e luftës".
Qeveria e pa shtesën si të panevojshme. Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se mbulimi i këtyre shpenzimeve është rregulluar përmes një udhëzimi administrativ të Ministrisë së Shëndetësisë, të miratuar në mars të vitit 2024, i cili i kalon kostot te Fondi i Sigurimeve Shëndetësore. "Kështu që kjo çështje tashmë ka zgjidhje, nuk e shoh që është e nevojshme të bëhet një amendament i tillë", deklaroi Murati.
Haliti solli edhe shifrat. Sipas informatave që tha se i ka marrë nga Ministria e Shëndetësisë, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, nxori në vitin 2024 dy vendime të veçanta: njërin për invalidët e luftës të UÇK-së dhe tjetrin për invalidët civilë të luftës. Përmes tyre mbulohen financiarisht ndërrimi, mirëmbajtja dhe vendosja e protezave sipas kërkesave individuale. Deri tani kanë përfituar 103 persona, 58 invalidë të luftës të UÇK-së dhe 45 invalidë civilë të luftës. Sipas Halitit, të gjitha kërkesat janë zgjidhur, me përjashtim të një rasti që është ende në shqyrtim.
Kjo pamje u kundërshtua nga deputetët që e mbështetën amendamentin. Mergim Lushtaku, nënkryetar i komisionit nga PDK, tha se invalidët dhe veteranët e luftës u drejtohen vazhdimisht me ankesa për protezat. "Nuk është e vërtetë që janë të mbuluar me të gjitha domethënë financimet për proteza", tha ai, duke shtuar se shuma nuk është aq e madhe sa të ndikojë në buxhet. Edhe deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, e cilësoi amendamentin si të nevojshëm.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, e përkrahu propozimin, por e vendosi debatin në një kornizë më të gjerë. "Qeveri pas qeverie kemi dështuar që ta institucionalizojmë kujdesin për këta njerëz", tha ai. Hoti kujtoi se në vitin 2020, kur partia e tij ishte në qeveri, u nënshkrua një marrëveshje me shkrim me Organizatën e Veteranëve të Luftës që protezat të bëheshin pjesë e buxhetit të rregullt të Klinikës së Ortopedisë në QKUK, pa pasur nevojë për amendamente apo vendime ekzekutive.
Ai e përgëzoi ministrin për vendimin e vitit 2024, por shtoi se ai "nuk është zgjidhje përfundimtare". "Nuk mund t'i lëmë këta njerëz nën mëshirën, si me thënë, të vendimeve ekzekutive të qeverisë e të ministrave, ose të amendamenteve në komision", tha Hoti, i cili shprehu bindjen se çështja duhet të adresohet me buxhetin e vitit 2027.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

