Nuk iu lejua të vinte në varrimin e vëllait. Disa ditë më vonë, më 10 tetor 2024, Jakup Krasniqi u kthye për herë të parë e të fundit në Kosovë, i rrethuar nga automjete të blinduara dhe zyrtarë të huaj. Sot pritet vendimi për të dhe tre ish-krerët e tjerë të UÇK-së.

Në varrezat e Negrocit, katër zyrtarë të huaj qëndronin pas tij ndërsa vendoste lulet mbi varrin e vëllait. Jakup Krasniqi, ish-zëdhënësi i UÇK-së dhe ish-kryeparlamentar, nuk kishte arritur të merrte pjesë në varrimin e Azem Krasniqit: masa e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë nuk ia lejoi. Leja erdhi vetëm disa ditë më vonë, më 10 tetor 2024, dhe me kushte të rrepta sigurie.
Gjatë gjithë kohës ai u shoqërua nga forca policore të EULEX-it dhe të Policisë së Kosovës. Pas homazheve, një kolonë me rreth dhjetë automjete të blinduara u nis drejt shtëpisë së familjes, në brendësi të fshatit. Familjarë e bashkëfshatarë e pritën përgjatë rrugës me emocion, por nuk patën mundësi t’i afroheshin. E përshëndetën nga distanca, derisa hyri në oborr.
Edhe brenda ambienteve familjare qëndrimi ishte i kufizuar dhe nën përcjellje të vazhdueshme. Dyert e shtëpisë mbetën të hapura rreth pesë orë, ndërsa përreth saj ishin dhjetëra zyrtarë të misionit evropian dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Ajo ditë tetori mbetet e vetmja herë që Krasniqi ka qenë në Kosovë që nga arrestimi dhe dërgimi i tij në Hagë më 4 nëntor 2020. Po bëhen gati gjashtë vite që mbahet atje, ku përballet me procesin gjyqësor bashkë me tre ish-krerë të tjerë të UÇK-së: Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin. Vendimi për ta merret paraditen e sotme.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

