Nga Glauk Konjufca te Bekim Sejdiu, pesë emra kanë dalë nga gara për kreun e shtetit pa arritur të mbledhin votat apo kuorumin në Kuvend. Kriza institucionale në Kosovë vazhdon pa një president të zgjedhur.

Lista e kandidatëve për president të Kosovës është shkurtuar një nga një, pa prodhuar asnjë fitues. Pesë kandidatura janë tërhequr gjatë krizës së gjatë institucionale, ndërsa të tjerë nuk arritën të sigurojnë votat e nevojshme në Kuvendin e Kosovës.
I fundit që njoftoi largimin nga gara ishte Bekim Sejdiu, i propozuar si kandidat jopartiak. Për emrin e tij ishin pajtuar kryeministri Albin Kurti dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Megjithatë, Sejdiu u tërhoq pasi nuk siguroi mbështetjen e nevojshme në Kuvend.
Para tij, nga gara kishin dalë Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, të propozuar fillimisht nga Lëvizja Vetëvendosje. Emrat e tyre ishin vënë në tavolinë për seancën e 5 marsit, por votimi nuk u mbajt për shkak të mungesës së kuorumit. Më 27 prill, të dy i tërhoqën kandidaturat.
Pas tyre, Vetëvendosje propozoi Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën. Rezultati i raundit të parë ishte i pabarabartë: Rushiti mori 63 vota, ndërsa Hoxha nuk mori asnjë. Procesi dështoi sërish për shkak të mungesës së kuorumit. Rushiti bëri të ditur më vonë se nuk ishte më pjesë e diskutimeve për postin e presidentes dhe se do ta vazhdonte angazhimin e saj në organizatën që drejton. Hoxha nuk e tërhoqi formalisht kandidaturën, por mbeti pa asnjë votë në raundin e parë.
Gjatë kësaj periudhe janë qarkulluar edhe emra të tjerë, mes tyre Murat Jashari dhe Andin Hoti, pa arritur deri te një marrëveshje.
Pengesa mbetet aritmetika e Kuvendit: në dy raundet e para kërkohet pjesëmarrja e së paku 80 deputetëve, prag që deri tani nuk është arritur. Zgjedhja e presidentit vazhdon të jetë një nga çështjet kryesore të procesit institucional në vend.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

