Trupi Gjykues në Hagë e refuzoi sërish lirimin e ish-presidentit Hashim Thaçi, duke vlerësuar se ka rrezik të pengojë procedurat dhe të ndikojë te dëshmitarët. Aktgjykimi pritet më 16 shtator 2026.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të qëndrojë në paraburgim deri në shpalljen e aktgjykimit në rastin e përbashkët ndaj tij, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Është hera e 27-të që gjyqtarët në Hagë vazhdojnë masën e paraburgimit ndaj tij.
Në vendimin e datës 10 gusht, Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara refuzoi edhe një herë kërkesën për lirimin me kusht të Thaçit. Sipas vendimit, aktualisht nuk ka informacion të mjaftueshëm për të konstatuar se ai do t'i shmangej drejtësisë nëse do të lirohej. Megjithatë, gjyqtarët vlerësuan se mbetet një rrezik i mjaftueshëm që Thaçi të pengojë ecurinë e procedurave gjyqësore ose të ndikojë te dëshmitarët.
"Paneli përfundon se, në këtë kohë, vazhdon të ketë informacion të pamjaftueshëm para tij që justifikon një konstatim se z. Thaçi mund t'i shmanget drejtësisë nëse lirohet. Megjithatë, Paneli është i kënaqur, bazuar në standardin përkatës, se ekziston një rrezik i mjaftueshëm që z. Thaçi do të pengojë përparimin e procedurave të Dhomave të Specializuara dhe se ai do të kryejë krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, përfshirë dëshmitarët që kanë dhënë prova në këtë çështje", thuhet në vendim.
Aktgjykimi përfundimtar në rastin kryesor pritet të shpallet më 16 shtator 2026. Pikërisht kjo datë e afërt bëri që kryegjyqtari Charles Smith të urdhëronte palët të mos dorëzojnë më parashtresa për rishikimin e radhës të paraburgimit, i cili, sipas afateve, ishte planifikuar të mbahej më 9 tetor 2026. Gjykata vlerësoi se një shqyrtim i tillë nuk është më i nevojshëm në këtë fazë.
"Paneli vëren se, në përputhje me nenin 41(10), shqyrtimi i ardhshëm i paraburgimit të z. Thaçi, në parim, është i caktuar të bëhet të premten, më 9 tetor 2026, përveç nëse Aktgjykimi i Gjykimit shpallet ndërkohë", thuhet gjithashtu në vendim.
Krahas rastit kryesor, Thaçit i është vazhduar paraburgimi edhe në çështjen e veçantë ku akuzohet për pengim të drejtësisë në Dhomat e Specializuara. Për këtë rast pritet një vendim i ri në shtator, ndërsa palët janë urdhëruar të dorëzojnë komentet lidhur me paraburgimin deri më 14 shtator.
Gjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit po zhvillohet në Hagë që nga viti 2023. Prokuroria i akuzon për një sërë veprash penale që pretendohet se janë kryer gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

