Nidal Malik Hasan, ish-majori dhe psikiatri i ushtrisë amerikane që vrau 13 ushtarë të paarmatosur në vitin 2009, do të ekzekutohet nga një skuadër pushkatimi. Do të jetë ekzekutimi i parë ushtarak në SHBA që nga viti 1961.

Ushtria amerikane po përgatitet të bëjë diçka që nuk e ka bërë që nga viti 1961: të ekzekutojë një nga ish-oficerët e saj. Pentagoni njoftoi se Nidal Malik Hasan, ish-major i ushtrisë amerikane, i dënuar me vdekje për masakrën në bazën ushtarake Fort Hood në Teksas, do të vritet nga një skuadër pushkatimi.
Vendimin e bëri publik të hënën në rrjetet sociale zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell. Sipas tij, rekomandimin e dha sekretari i Luftës, Pete Hegseth, ndërsa presidenti Donald Trump e miratoi. "Dita e gjykimit për Hasanin më në fund ka ardhur", shkroi Parnell në platformën X. Ai shtoi se kohën dhe vendin e ekzekutimit do t'i caktojë sekretari i Ushtrisë, gjë që ende nuk është bërë.
Nëse zbatohet, ky do të jetë ekzekutimi i parë ushtarak në më shumë se 60 vjet dhe i pari me pushkatim nga ushtria amerikane që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.
Masakra në një ndërtesë mjekësore
Më 5 nëntor 2009, Hasan, mjek psikiatër me origjinë nga Virxhinia dhe major në ushtri, hapi zjarr brenda një ndërtese mjekësore plot me njerëz në Fort Hood. Aty ndodheshin ushtarë që përgatiteshin të niseshin në mision dhe prisnin kontrollet mjekësore e vaksinat. Ai vrau 13 ushtarë të paarmatosur dhe plagosi 32 të tjerë.
Vrasjet mbeten sulmi më i përgjakshëm jashtë luftimeve i kryer ndonjëherë në një bazë ushtarake amerikane.
Në gjykimin ushtarak të vitit 2013, Hasan deklaroi se besonte se po mbronte myslimanët dhe talebanët në Afganistan. Më vonë ai pranoi në gjykatë se ishte ai që kishte qëlluar dhe kërkoi falje për "çdo gabim".
Një trup gjykues prej 13 oficerësh e shpalli fajtor për 13 akuza për vrasje me paramendim dhe 32 akuza për tentativë vrasjeje, duke rekomanduar njëzëri dënimin me vdekje. Sot Hasan është një nga katër të burgosurit që presin ekzekutimin në korridorin e vdekjes të ushtrisë amerikane.
Rruga ligjore drejt ekzekutimit
Sipas ligjit ushtarak, një ekzekutim ushtarak kërkon miratimin e presidentit të SHBA-së. Përveç kësaj, që procesi të ecë përpara, nevojitet shqyrtim në apel dhe një vendim përfundimtar mbi ligjshmërinë e tij.
Dënimi me vdekje në ushtri ka pasur vetë një histori të trazuar. Në vitin 1983, Gjykata e Apelit të SHBA-së për Forcat e Armatosura e shpalli atë antikushtetues, por një vit më vonë u rikthye me urdhër ekzekutiv nën presidentin e atëhershëm Ronald Reagan.
Pushkatimi, një metodë e rrallë
Ekzekutimet ushtarake ndryshojnë nga ato që kryhen në nivel shtetëror, ku ndodhin shumica e ekzekutimeve në SHBA. Dënimi me vdekje mbetet opsion ligjor në 27 shtete, në ushtri dhe në nivel federal.
Pushkatimi përdoret rrallë. Vitin e kaluar, Karolina e Jugut kreu një ekzekutim të tillë, të parin në historinë e këtij shteti dhe të parin në SHBA pas 15 vjetësh. Katër shtete të tjera, Idaho, Misisipi, Oklahoma dhe Juta, e lejojnë gjithashtu këtë metodë.
Presidenti Trump ka qenë përkrahës i dënimit federal me vdekje dhe e rivendosi atë me urdhër ekzekutiv që në ditën e parë të administratës së tij, në janar 2025.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

