Bomba më e madhe jobërthamore e arsenalit amerikan, mbi 30.000 paund eksploziv, mund të godasë objektiva ushtarake në Iran nëse Presidenti Trump jep urdhrin. Vetëm një javë më parë, ai kishte thënë se SHBA-ja nuk do ta sulmonte Iranin para zgjedhjeve të mesit të mandatit.

Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni kanë hartuar plane për përdorimin e bombës MOAB (Massive Ordnance Air Blast) kundër objektivave ushtarake në Iran. Arma, e njohur si "nëna e të gjitha bombave", do të përdorej vetëm nëse urdhrin e jep Presidenti amerikan, Donald Trump, sipas burimeve të njohura me çështjen.
Pentagoni nuk i ka konfirmuar drejtpërdrejt planet. Një zyrtar i tij, emri i të cilit nuk u bë publik, u përgjigj me një deklaratë të përgjithshme: "Departamenti i Luftës planifikon për një gamë të gjerë skenarësh operacionalë, me qëllim zbatimin e udhëzimeve në nivel presidencial dhe të sekretarit dhe sigurimin e suksesit të misionit në çdo mjedis operacional."
Lajmi bie ndesh me tonin që Trump kishte mbajtur pak ditë më parë. Javën e kaluar, ai deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk do ta sulmonin Iranin para zgjedhjeve të mesit të mandatit dhe foli për "biseda produktive" me Teheranin, pa dhënë asnjë hollësi për përmbajtjen e tyre. Nëse bomba do të përdoret apo jo mbetet ende e pavendosur.
Planet u bënë publike fillimisht të enjten nga CNN.
MOAB është arma më e madhe jobërthamore e Shteteve të Bashkuara. Pesha e saj kalon 30.000 paund, ndërsa kostoja arrin në 170.000 dollarë për njësi. Precedenti i përdorimit të saj mban gjithashtu firmën e Trumpit: në vitin 2017, nën administratën e tij, bomba u hodh mbi një kompleks shpellash të organizatës Shteti Islamik në Afganistan.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

