Vitet e punës në Austri dhe Turqi mund t'u njihen qytetarëve të Kosovës për pension. Qeveria i ka kërkuar presidentes autorizim për nënshkrimin e dy marrëveshjeve për sigurimet sociale.

Qytetarët e Kosovës që kanë kaluar vite pune në Austri ose Turqi mund të mos i humbin më kontributet e paguara atje. Qeveria e Kosovës ka arritur marrëveshje me të dyja shtetet për njohjen e kontributeve personale, një hap që prek drejtpërdrejt pensionet e tyre.
Në mbledhjen e së mërkurës, kabineti qeveritar miratoi dy propozim-vendime me të cilat kërkon nga presidentja autorizimet për nënshkrimin e marrëveshjeve në fushën e sigurimeve sociale, njëra me Austrinë dhe tjetra me Turqinë. Nënshkrimi pritet të bëhet nga ministri i Punës, Andin Hoti, por data nuk është bërë ende e ditur.
Qëllimi i deklaruar i marrëveshjeve është krijimi i një baze të re ligjore për marrëdhëniet në fushën e sigurimeve sociale, e cila u garanton qytetarëve të të dyja vendeve njohjen e ndërsjellë të kontributeve për përfitimin e pensioneve.
Hoti shpjegoi se çfarë ndryshon në praktikë: "Qytetarët që kanë punuar për një kohë të gjatë në Republikën e Austrisë do të kenë të drejtë të marrin pensionet në Kosovë dhe anasjelltas kudo që ata jetojnë. Gjithashtu, qytetarëve të Kosovës do t’u njihet e drejta për t’i bashkuar periudhat e kontributeve për të realizuar pensionet".
Kjo do të thotë se periudhat e punës të kryera jashtë vendit mund të mblidhen bashkë me ato në Kosovë për të plotësuar kushtet e pensionit. Marrëveshjet hyjnë në fuqi vetëm pasi presidentja të japë autorizimet dhe dokumentet të nënshkruhen zyrtarisht.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

