Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, nisi seancën plenare duke folur për dënimin me 81 vite burg në total të katër ish-drejtuesve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. Kuvendi pritet të nxjerrë një deklaratë të përbashkët.

Seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë nisi jo me rendin e ditës, por me vendimin e shpallur një ditë më parë në Dhomat e Specializuara të Kosovës, ku katër ish-drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan me 81 vite burg në total.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, e cilësoi atë një ngjarje me rëndësi të veçantë, duke nënvizuar peshën që mbart për Kosovën dhe për shqiptarët.
"Dje Dhomat e Specializuara të Kosovës shpallën vendimin ndaj katër liderëve të UÇK-së. Ky vendim përbën një vendim të rëndësishëm dhe të dhimbshëm, jo vetëm për Kosovën, por dhe për historinë dhe kujtesën tonë kombëtare", deklaroi Peleshi.
Ai bëri të ditur po ashtu se institucioni që drejton do të reagojë zyrtarisht me një qëndrim të njësuar ndaj vendimit të Gjykatës Speciale.
"Sot do të përcjellim një deklaratë të përbashkët nëpërmjet Kuvendit, ku do të shprehim mendimin e Kuvendit të Shqipërisë për këtë vendim", u shpreh ai.
Identiteti i katër të dënuarve, akuzat për të cilat u shpallën fajtorë dhe dënimet individuale nuk u përmendën në fjalën e Peleshit.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

