Auditorët e universiteteve publike në Shqipëri do të mbeten pa mësim. Sindikata e Universiteteve shpalli bojkot në solidaritet me studentët dhe nxënësit, protestat e të cilëve prej më shumë se një jave kanë sjellë përplasje të dhunshme me policinë.

Mësimdhënia në universitetet publike të Shqipërisë do të ndalet. Kryesia e Sindikatës së Universiteteve vendosi të martën të shpallë bojkot të mësimit në të gjitha universitetet publike të vendit.
Vendimi u mor unanimisht në një mbledhje të kryesisë dhe, sipas Sindikatës, synon të shprehë solidaritet me studentët dhe nxënësit që kanë dalë në rrugë.
Protestat e tyre zgjasin prej më shumë se një jave dhe janë shoqëruar vazhdimisht me përplasje të dhunshme me policinë. Me bojkotin, pedagogët zgjedhin hapur krahun e protestuesve dhe e çojnë tensionin edhe brenda auditorëve.
Pedagogët kanë protestuar edhe vetë në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë. Ende nuk dihet se nga cila datë nis bojkoti dhe sa do të zgjasë.
Flakët e ndezura gjatë protestave antiqeveritare të 17 tetorit kanë goditur drejtpërdrejt drejtësinë shqiptare: Gjykata e Lartë ka shtyrë seancat gjyqësore deri në një afat të pacaktuar, pas dëmtimit të ambienteve dhe të dosjeve gjyqësore.

