Deputetët e PDK-së i kërkojnë me shkrim kryesuesit të seancës konstituive, Avni Deharit, të caktojë vazhdimin e seancës për të nesërmen, duke paralajmëruar se çdo vonesë e mëtejshme thellon një krizë institucionale.

Presioni mbi kryesuesin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, po shtohet. Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) i janë drejtuar sërish me një letër, duke i kërkuar që të caktojë vazhdimin e seancës për të nesërmen, më 22 gusht, në orën 11:00.
Përmes letrës, PDK-ja kërkon që procesi i konstituimit të Kuvendit të vazhdojë, duke vlerësuar se moskonstituimi i tij brenda afateve kushtetuese ka krijuar një situatë serioze institucionale. Sipas deputetëve të kësaj partie, vonesat në proces përbëjnë shkelje të Kushtetutës dhe mosrespektim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Në letër, deputetët e PDK-së i referohen praktikës gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese për të argumentuar se konstituimi mbetet detyrim edhe pas kalimit të afateve. "Mosrespektimi i afateve dhe procedurave të përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit vetëm sa e thellon më tej këtë situatë. Duhet të keni parasysh se, sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht tejkalimit të afatit kushtetues, Kuvendi duhet të konstituohet. Shkelja e afatit nuk e shuan detyrimin për konstituimin e tij", thuhet në letër.
Deputetët e PDK-së kanë kërkuar që vazhdimi i seancës të mbahet në kohën e propozuar, me qëllim që të ecet përpara me përmbylljen e procesit të konstituimit të Kuvendit.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

