Partia Demokratike e Kosovës i kërkon Gjykatës Kushtetuese të ndalojë menjëherë çdo pasojë të mëtejshme juridike nga konstituimi i Legjislaturës XI, ndërsa kryeministri Albin Kurti u bën thirrje partive për kompromis mbi presidentin.

Tri akte të Kuvendit të Kosovës janë vënë në sitën e Gjykatës Kushtetuese. Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar sot kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve dhe procedurave që lidhen me konstituimin e Legjislaturës XI, duke kërkuar njëkohësisht edhe një masë të përkohshme që të bllokohen efektet e këtij procesi derisa gjykata të shprehet.
Lënda u dorëzua nga kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, deputeti Përparim Gruda dhe avokati Faton Fetahu. Në të kontestohen vendimi i 9 shtatorit 2026 për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, vendimi procedural i 11 shtatorit për mënyrën e votimit të nënkryetarëve dhe konstatimi i 13 shtatorit për konstituimin e Legjislaturës XI të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Sipas Tahirit, partia po kërkon një përgjigje përfundimtare për shkeljet që, sipas saj, e kanë përcjellur procesin e konstituimit. "Sot po e dorëzojmë në Gjykatën Kushtetuese këtë lëndë, sepse pas gjithë asaj që ka ndodhur në Kuvend, është e domosdoshme që institucioni më i lartë i interpretimit të Kushtetutës ta thotë fjalën e vet. Kushtetuta dhe rendi kushtetues nuk mund të varen nga kalkulimet politike të askujt", tha ai.
Deputeti Gruda e paraqiti kërkesën si përpjekje për rikthimin e funksionimit institucional mbi bazën e Kushtetutës. "Ne po kërkojmë rikthimin e rendit kushtetues, jo vendosjen e rendit të Vetëvendosjes. Në Republikën e Kosovës rregullat i përcakton Kushtetuta, jo vullneti politik i një partie dhe as interpretimet që ndryshojnë varësisht prej interesit të momentit", deklaroi ai.
Pjesa më e ndjeshme e kërkesës është masa e përkohshme. Avokati Fetahu sqaroi se PDK-ja i ka kërkuar gjykatës të ndërhyjë pa pritur: "I kemi kërkuar Gjykatës Kushtetuese që të vendosë menjëherë masë të përkohshme, në mënyrë që të parandalohet prodhimi i pasojave të mëtejshme juridike dhe institucionale nga një proces, kushtetutshmëria e të cilit tashmë është kontestuar para Gjykatës. Deri në vendimin e saj, nuk duhet të krijohen fakte të reja që mund ta thellojnë edhe më tej krizën kushtetuese", tha ai.
PDK-ja kërkon që Gjykata Kushtetuese t'i vlerësojë këto vendime e procedura dhe të përcaktojë qartë pasojat juridike të shkeljeve eventuale kushtetuese. Nesër, sipas partisë, do të dorëzohet në të njëjtin institucion edhe lënda që lidhet me formimin e Qeverisë.
Ndërkohë, në planin politik, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dje janë pranuar plotësisht kandidaturat e PDK-së dhe LDK-së për nënkryetarë të Kuvendit, pavarësisht vërejtjeve që kishin. Ai vlerësoi se një diskutim politik i hapur dhe i sinqertë mes palëve mund të çojë në zgjedhjen e presidentit të ri të vendit dhe se do të ishte papërgjegjësi ndaj interesit publik e pamaturi e madhe politike të mos gjendet një kompromis, të cilin ai e quajti të mundshëm dhe prodhimtar, duke sjellë si dëshmi vetë konstituimin e Kuvendit.
"Ju bëj thirrje liderëve politikë, kolegëve të mi, deputetëve, le ta zgjidhim çështjen e presidentit", tha Kurti.
Gjykata Kushtetuese nuk ka bërë të ditur ende ndonjë qëndrim për kërkesën.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

