Deputetët e PDK-së u ngritën nga karriget në dy komisione parlamentare. Ata paralajmërojnë se nuk do të rikthehen pa u sjellë në Kuvend ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Karriget e PDK-së mbetën bosh sot në dy komisione të Kuvendit të Kosovës. Deputetët e opozitës u larguan në shenjë proteste, sepse ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës nuk ishte në rend dite. Pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara, partia e ka shndërruar këtë projektligj në kushtin e saj për pjesëmarrje në punën parlamentare.
Në Komisionin për Legjislacion, deputetët Blerta Deliu dhe Përparim Gruda e lëshuan mbledhjen menjëherë. Komisioni ishte thirrur për të shqyrtuar gjashtë pika të rendit të ditës, por pa ligjin për Specialen. "Është tërësisht jo serioze që të ftohet komisioni për Legjislacion të trajtojmë sot 6 pika të rendit të ditës, e të mos jetë në shqyrtim ligji për Dhomat e Specializuara. PDK konsideron në këto rrethana nuk ka prioritet më të madh, dhe nuk mund të simulojmë normalitet sot në këtë komision. Ne bashkë me zotin Gruda nuk do të qëndrojmë në mbledhjen e komisionit", deklaroi Deliu.
Gruda e zgjeroi kritikën edhe te mënyra se si ishin sjellë ligjet e tjera. Sipas tij, gjashtë projektligjet u kishin mbërritur anëtarëve vetëm një ditë më parë dhe përbëheshin nga qindra faqe, prandaj nuk mund të trajtoheshin me ngut. "Fillimi duket qartazi nuk duket i mbarë. Kemi marrë një rend dite ku janë 6 ligje, të cilat na kanë ardh dje, asnjë anëtar i komisionit qeto s’ka arrit me i lexu. Këto materiale që përbajnë qindra faqe, e që është jo serioze. Këto materiale nuk mund të trajtohen me kaq urgjencë. Nuk mundemi na me u sjell sikur jemi në kushte normale", tha ai.
Skena u përsërit edhe në Komisionin për të Drejtat e Njeriut. Deputeti i PDK-së Artan Behrami bëri të ditur se ai dhe kolegia e tij, Sala Jashari, u larguan në mënyrë demonstrative sapo komisioni u konstituua. Behrami e lidhi hapin drejtpërdrejt me situatën pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara dhe i akuzoi institucionet për "simulim të normalitetit". "Flamuri i Kosovës dhe i UÇK-së janë në gjysmë shtize. Prandaj, Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi i Kosovës nuk mund të simulojnë normalitet", deklaroi ai.
Për Behramin, asgjë tjetër nuk duhet t'i paraprijë këtij ligji. "Nuk ka asnjë temë, asnjë ligj, asnjë vendim, asnjë qëndrim, asnjë kauzë më të rëndësishme sesa ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës", shkroi ai.
Më vonë, në një konferencë për media, Deliu e paraqiti bojkotin si qëndrim të të gjithë grupit parlamentar. Ajo tha se PDK nuk do të bëhet pengesë për funksionimin e institucioneve, por nuk do të marrë pjesë në mbledhjet e komisioneve derisa të procedohet projektligji. "Mirëpo, ajo çka është krejtësisht e padrejtë është që të simulojmë normalitet për mbarëvajtje çështjesh të cilat kërkojnë veprim urgjent nga shteti", u shpreh ajo.
Deliu u bëri thirrje edhe partive të tjera që ta mbështesin nismën. "Për Partinë Demokratike të Kosovës, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, në funksion të mbrojtjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duhet të jetë prioritet mbi prioritetet. Konsiderojmë që ky duhet të jetë prioritet edhe për të gjitha partitë politike", tha ajo.
Kritikat më të ashpra ajo ia drejtoi Qeverisë. Sipas saj, ndërsa ekzekutivi kishte diskutuar 45 pika të rendit të ditës dhe në Kuvend po procedohej një numër i madh projektligjesh me procedura të përshpejtuara, ligji që kërkon PDK nuk po lëviz. Vetëm në Komisionin për Legjislacion ishin sjellë gjashtë projektligje të tilla, materialet e të cilave deputetët i kishin marrë një ditë më parë. Sipas Deliut, "projektligji për Dhomat e Specializuara fatkeqësisht vazhdon ende të mbetet në sirtarët e qeverisë", ndërsa opozitës i thuhet se për të po kërkohet ekspertizë dhe procedimi i tij po zvarritet. Qeveria nuk është përgjigjur ende publikisht ndaj këtyre akuzave.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

