Nga qelia e Hagës, ish-presidenti Hashim Thaçi u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës të mos reagojnë me dhunë, ndërsa mbrojtja e tij njoftoi apelimin e aktgjykimit. Në Tiranë, Kuvendi i Shqipërisë miratoi një deklaratë që e cilëson vendimin thellësisht të padrejtë.

Mesazhi i parë i Hashim Thaçit pas dënimit në Hagë nuk ishte kundërsulm, por thirrje për qetësi. Ish-presidenti i Kosovës, i dënuar me 25 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, u kërkoi qytetarëve të Kosovës të qëndrojnë të qetë dhe që përgjigjja ndaj verdiktit të jetë paqësore.
Mesazhin e përcolli publikisht kryembrojtësi i tij, avokati kroat Luka Mishetiq, në deklarimin e parë pas shpalljes së aktgjykimit. Sipas tij, Thaçi shprehu mirënjohje për mbështetjen e marrë nga qytetarët e Kosovës dhe nga mbështetësit ndërkombëtarë, mbështetje që, siç u theksua, u është dhënë edhe Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Njëkohësisht, mbrojtja bëri të ditur se vendimi do të atakohet në shkallën e dytë. Sipas Mishetiqit, avokatët e Thaçit do ta apelojnë aktgjykimin para Panelit të Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke pretenduar se gjatë procesit janë bërë gabime të rëndësishme ligjore dhe faktike që kanë cenuar drejtësinë e gjykimit. Mbrojtja kishte paralajmëruar edhe më herët se do të kundërshtojë gjetjet e Trupit Gjykues, duke ngritur pretendime për shkelje procedurale dhe për vlerësim të gabuar të provave.
Ndërkohë, reagimi politik mori formë institucionale në Tiranë. Kuvendi i Shqipërisë miratoi të enjten një deklaratë të përbashkët mbi vendimin e Dhomave të Specializuara, duke shprehur indinjatë të thellë dhe mosdakordësi të plotë me të dhe duke e cilësuar thellësisht të padrejtë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Deklarata, e lexuar nga kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, rithekson se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për liri dhe për çlirimin e Kosovës, e lindur si përgjigje ndaj represionit sistematik, dhunës, spastrimit etnik dhe gjenocidit të kryer nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.
"Pa luftën dhe sakrificat e UÇK-së kundër pushtuesit serb historia e çlirimit të Kosovës nuk mund të kuptohet. UÇK ishte forcë vendimtare e rezistencës së popullit të Kosovës dhe rruga që çoi drejt çlirimit dhe pavarësisë. Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë të pandashëm nga kjo histori, nga lufta për çlirim, rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetësisë", thuhet në deklaratë.
Sipas tekstit të miratuar, një aktgjykim nuk mund ta rishkruajë historinë e një populli, nuk mund ta zbehë karakterin çlirimtar të luftës së UÇK-së dhe nuk mund ta barazojë viktimën me agresorin. Kuvendi shpreh gjithashtu shqetësim të thellë për standarde të dyfishta në trajtimin e së kaluarës së përgjakshme të rajonit dhe qëndron kundër çdo përpjekjeje të Serbisë dhe Rusisë për ta instrumentalizuar politikisht procesin në Hagë.
"Kuvendi qëndron në solidaritet me popullin e Kosovës dhe ish-drejtuesit e UÇK-së, dhe qëndron i palëkundur në pafajësinë e tyre. Ky aktgjykim nuk është fjala e fundit. Kuvendi pret që të gjitha mjetet juridike dhe shkallët e mëtejshme të procesit të ndiqen deri në fund duke garantuar respektimin e plotë të standardeve të procesit të rregullt ligjor. Kuvendi angazhohet që në të gjitha forumet ndërkombëtare të denoncojë të gjitha krimet e regjimit serb në Kosovë, përfshirë aktet gjenocidale, krimet e luftës dhe dhunën seksuale", thuhet më tej në dokument.
Deklarata kërkon koordinim veprimesh mes Kuvendit të Shqipërisë, Kuvendit të Kosovës dhe dy qeverive, me qëllim korrigjimin e kësaj padrejtësie, siç e quan ajo, në rrugë institucionale. Seanca në Tiranë nisi me deputetë të Partisë Demokratike që kishin vendosur stemën e UÇK-së.
Beteja tashmë zhvendoset në Panelin e Apelit të Dhomave të Specializuara, ku mbrojtja e Thaçit do të kërkojë rrëzimin e gjetjeve të shkallës së parë.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

