Verdikti dënues i Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit çeli fazën e dytë të betejës juridike. Afati i parë është 30 ditë, ndërsa dy apelet e mëparshme në Hagë përfunduan me ulje dënimesh.

Beteja juridike e katër ish-krerëve të UÇK-së nuk mbaroi me shpalljen e verdiktit. Dënimi i shqiptuar nga Gjykata Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit për krime lufte hapi rrugën për procedurat e shkallës së dytë, ku çdo hap është i matur me ditë kalendarike.
Të drejtën për ta kundërshtuar aktgjykimin e kanë të akuzuarit përmes mbrojtjeve të tyre, por edhe Prokuroria, nëse nuk është e kënaqur me dënimin e shqiptuar. Sipas Rregullores së Procedurave dhe Provave të Dhomave të Specializuara, pala e pakënaqur duhet të dorëzojë brenda 30 ditësh nga shpallja e aktgjykimit njoftimin me pikat që dëshiron t'i apelojë.
Brenda 21 ditësh nga ky njoftim mbahet konferenca, ku palët ngrenë çështjet që do t'i kundërshtojnë. Apeluesi duhet ta dorëzojë dosjen me të gjitha argumentet dhe burimet ligjore mbi të cilat mbështetet brenda 60 ditësh nga njoftimi për apel; nëse apelimi lidhet vetëm me dënimin, ky afat shkurtohet në 30 ditë.
Nëse procedurat nisin nga mbrojtja, Prokuroria ka 30 ditë për të dorëzuar përgjigjen ndaj dosjes së mbrojtjes, afat që bie në 15 ditë kur apelimi është vetëm ndaj dënimit. Mbrojtja mund të rikthehet me kundërpërgjigje brenda 15 ditësh, ose brenda 10 ditësh kur bëhet fjalë vetëm për apelimin e dënimit.
Faza e apelit nuk është vetëm shkëmbim shkresash. Palët mund të kërkojnë të parashtrojnë prova shtesë dhe, kur Apeli i pranon ato, pala kundërshtare ka mundësi të paraqesë kundërprova. Edhe mbrojtësi i viktimave mund të dorëzojë një dosje plotësuese lidhur me ndikimin që këto prova mund të kenë te viktimat.
Pasi dorëzohet parashtresa e fundit, Paneli i Gjykatës së Apelit duhet ta shpallë aktgjykimin brenda 60 ditësh, me mundësi shtyrjeje deri në 30 ditë të tjera nëse ekzistojnë arsye bindëse. Vendimi i fajësisë ose dënimi i shqiptuar në shkallë të dytë hyn në fuqi menjëherë, ndërsa në rast vendimi lirues, i dënuari i shkallës së parë lirohet po atë çast.
Përfundimi mund të marrë katër forma: konfirmim i vendimit të shkallës së parë, ndryshim i tij, ndërhyrje në ndonjë pjesë apo konstatim, ose kthim i çështjes në rigjykim.
Praktika e deritanishme e Gjykatës Speciale numëron dy raste të trajtuara në Apel. Salih Mustafës iu ul dënimi nga 26 në 22 vjet burgim, ndërsa Pjetër Shalës nga 18 në 13 vjet. Të dyja proceset e apelit zgjatën nga dhjetë muaj e gjysmë, një afat që jep masën e kohës që mund të kërkojë edhe shkalla e dytë për katër ish-krerët e UÇK-së.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

