Vetëm një javë pasi mijëra persona, mes tyre zyrtarë të lartë serbë, përcollën në Beograd kriminelin e dënuar të luftës Ratko Mlladiq, eurodeputetët do të debatojnë nesër nëse glorifikimi i krimeve të luftës e pengon rrugën evropiane të Serbisë.

Simbolet ushtarake dhe mesazhet e mbështetjes për një njeri të dënuar përfundimisht për gjenocid kanë kaluar nga rrugët e Beogradit në sallën e Strasburgut. Nesër, gjatë seancës plenare, Parlamenti Evropian zhvillon një debat për glorifikimin e kriminelit të dënuar të luftës Ratko Mlladiq dhe të krimeve të luftës në Serbi, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Komisionit Evropian.
Tema është përfshirë zyrtarisht në rendin e ditës së sesionit të shtatorit. Sipas njoftimit të Parlamentit Evropian, eurodeputetët dhe Komisioni Evropian do të shqyrtojnë ndikimin që ka përkujtimi dhe glorifikimi publik i krimeve të luftës mbi procesin e integrimit evropian të Serbisë.
Debati vjen vetëm një javë pas varrimit të Mlladiçit në kryeqytetin serb, një ceremoni që mblodhi mijëra persona, mes tyre zyrtarë të lartë serbë dhe përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe. Ceremonia u shoqërua me simbole ushtarake dhe mesazhe mbështetjeje për të dënuarin, duke nxitur reagime të forta nga institucionet evropiane dhe nga një numër shtetesh anëtare të BE-së.
Mlladiçi vdiq në fund të gushtit në qendrën e paraburgimit të Kombeve të Bashkuara në Hagë, ku po vuante dënimin me burgim të përjetshëm. Dënimi përfundimtar i ishte shqiptuar nga gjykata ndërkombëtare për gjenocidin në Srebrenicë, si dhe për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë, në vitet 1992-1995.
Glorifikimi i tij u dënua nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nga presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, dhe nga komisionerja për Zgjerim, Marta Kos. Kjo e fundit anuloi më pas një vizitë të planifikuar në Serbi, duke theksuar se glorifikimi i kriminelëve të luftës është i papajtueshëm me vlerat evropiane.
Gjatë seancës së nesërme pritet që eurodeputetë nga grupe të ndryshme politike të ngrenë çështjen e përgjegjësisë së vendeve kandidate për krijimin e një kulture të kujtesës, për respektimin e vendimeve të gjykatave ndërkombëtare dhe për përafrimin me vlerat themelore të Bashkimit Evropian.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

