Qeveria iu përgjigj natës së përplasjeve me para për uniformat blu: 2500 euro për çdo polic të vijës së parë dhe rritje të ndjeshme pagash nga 1 janari. Kryeministri Edi Rama dënoi sulmet ndaj efektivëve.

Një ditë pas protestës së dhunshme kundër qeverisë në Tiranë, kryeministri Edi Rama zgjodhi të flasë drejtpërdrejt me ata që qëndruan përballë turmës: policët. Në një takim me drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, ai njoftoi një shpërblim prej 2500 eurosh për çdo efektiv të vendosur në vijën e parë dhe rritje të ndjeshme të pagave për të gjithë trupën, duke nisur nga 1 janari.
Në takim ishte i pranishëm edhe ministri i Brendshëm, Ervin Demo. Rama dënoi sulmet ndaj punonjësve të policisë gjatë protestës së mbrëmshme dhe e lidhi drejtpërdrejt mbështetjen financiare me atë që efektivët përjetuan në terren.
"Do t'i japim 2500 euro çdo polici të vijës së parë. Këtë vendim e morëm për t'u siguruar që të mos bëhen dallime. Ju jeni një, dhe një për të gjithë", u tha kryeministri drejtuesve të policisë.
Rritja e pagave, sipas Ramës, nuk është vendim i improvizuar pas trazirave. Ai tha se çështja ishte diskutuar disa javë më parë dhe se do të zbatohet me buxhetin e ri. "Për këtë po diskutonim disa javë më parë. Me buxhetin e ri, duke nisur nga 1 janari, pagat tuaja do të rriten ndjeshëm", deklaroi ai.
Kryeministri pranoi gjithashtu se pagat e policëve kanë mbetur pas ndër vite. "Do t'jua rrisim ndjeshëm pagat. Kur e gjetëm policinë të tradhtuar dhe të braktisur, bëmë atëherë rritje të konsiderueshme pagash. Megjithatë, ndër vite nuk jua kemi rritur pagat aq sa duhej", tha Rama.
Masa vjen pas një nate tensioni në kryeqytet, ku protesta kundër qeverisë degjeneroi në përplasje dhe la pas të lënduar. Masa e saktë e rritjes së pagave nuk u bë e ditur gjatë takimit.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

