Siguria e fëmijëve në shkolla dhe armët pa leje janë në qendër të alarmit në Gjilan. Kryetari Alban Hyseni ka kërkuar zyrtarisht më shumë polici dhe më shumë kontrolle, pas dy rasteve tragjike në komunë.

Më shumë policë në oborret e shkollave dhe më shumë kontrolle për armët që mbahen pa leje: kjo është kërkesa që kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka shtruar zyrtarisht pas dy rasteve tragjike që kanë goditur komunën.
Kërkesat u paraqitën në një mbledhje urgjente të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, ku u diskutua gjendja e sigurisë në qytet. Në tryezë ishte edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Enver Dugolli. Drejtori rajonal i policisë dhe komandanti i stacionit policor dhanë informacione për rastet e fundit, natyra e të cilave nuk është bërë e ditur në mbledhje.
"Gjatë mbledhjes kërkova zyrtarisht rritjen e kontrolleve policore për armëmbajtje pa leje dhe shtimin e prezencës së policisë në shkolla për të garantuar sigurinë e fëmijëve tanë", shkroi Hyseni në një postim në Facebook.
Sipas tij, institucionet komunale kanë ofruar bashkëpunim të plotë me organet e rendit, ndërsa përfaqësuesit institucionalë që morën pjesë në takim janë zotuar për angazhim më të madh në parandalimin e rasteve të tilla.
"Mbrojtja e jetës së qytetarëve tanë mbetet prioriteti ynë kryesor dhe do të punojmë me vendosmëri për të garantuar qetësinë dhe rendin publik në çdo pjesë të Gjilanit", deklaroi Hyseni.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

