Deputeti i PDK-së dhe ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, thotë se dënimet ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së nuk janë vendime individuale, por hap drejt goditjes së vetë shtetit. Profesori Dritëro Arifi paralajmëron se aktgjykimi do të përdoret nga Rusia dhe Serbia.

Nëse Gjykata e Apelit në Hagë i konfirmon dënimet ndaj ish-krerëve të UÇK-së, i goditur nuk do të jetë vetëm një grup individësh, por vetë shteti i Kosovës. Këtë e ka thënë deputeti i PDK-së dhe ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, i pyetur në një intervistë në Klan Kosova nëse rrezikohet pavarësia e vendit në rast se ankesa në Apel nuk i ndryshon dënimet ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
"Nëse konfirmohet dënimi, jam i sigurt që faza e radhës, caku i radhës, ka me qenë shteti i Kosovës. Nëse dikush mendon që vendimi për Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin nga 25 vjet dhe për Kadri Veselin 18 vjet dhe Rexhep Selimin 13 vjet, janë vendime individuale dhe nuk janë vendime për shtetin e Kosovës dhe nuk është në radhë shteti i Kosovës pas kësaj faze, e ka gabim", ka deklaruar Hoxhaj.
Ish-ministri i Jashtëm e ka lidhur procesin me atë që ai e cilëson luftë speciale ndaj Kosovës dhe me hakmarrjen e Serbisë ndaj UÇK-së e ndaj brezit që luftoi për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
"Kjo luftë speciale ndaj Kosovës do të vazhdojë. Është në natyrën e shteteve që të hakmerren. Është hakmarrje e Serbisë ndaj UÇK-së. Është hakmarrje e Serbisë ndaj Hashim Thaçit për shpalljen e pavarësisë. Është hakmarrje ndaj një brezi i cili ka luftu që ky vend të jetë i lirë dhe i pavarur, është hakmarrje ndaj neve si brez…", ka thënë ai.
Paralajmërime për pasoja jashtë sallave të gjyqit vijnë edhe nga njohës të diplomacisë, sipas të cilëve aktgjykimi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së mund të reflektohet në pozitën ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë synimin e saj për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Profesori universitar Dritëro Arifi ka thënë se Rusia, Serbia dhe të gjitha vendet që kanë "problem" me shtetin e Kosovës do ta shfrytëzojnë këtë vendim, duke e vlerësuar se verdikti dënues e ka bërë pothuajse të pamundur rrugëtimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.
"Gjykatat Speciale kanë më shumë vendime politike sesa juridike, dhe në një farë mënyrë besoj se për Kosovën ka qenë një agresion politik me mjete juridike. Mendoj që edhe Bashkimi Evropian nuk është i vetëdijshëm për efektin që ka me e prodhu. Jo tash menjëherë, sepse menjëherë nuk vërehen. Kjo do ta dëmtojë rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së. Unë besoj që anëtarësimi i Kosovës drejt BE-së, me këtë do të jetë pothuajse i pamundur. Vendet që nuk e kanë njohur, mendoj se nuk do të lëvizin më", është shprehur Arifi.
Procesi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së mbetet i hapur: fjala e fundit i takon Gjykatës së Apelit në Hagë, ku ankesa ende nuk është vendosur.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

